Trump: Do të takohem me Putin edhe nëse ai nuk takohet me Zelensky-n më parë

8 August 2025, 11:34Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Trump: Do të takohem me Putin edhe nëse ai nuk takohet me Zelensky-n
Trump dhe Putin

Presidenti amerikan Donald Trump, deklaroi të enjten se presidenti rus Vladimir Putin nuk ka nevojë të takohet më parë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky përpara samitit të planifikuar me SHBA-në.

I pyetur nga një gazetar nëse një takim mes Putin-it dhe Zelensky-t ishte i nevojshëm për të siguruar një takim me SHBA-të, Trump u përgjigj shkurt: “Jo”.

Trump dhe Putin pritet të takohen për herë të parë javën që vjen për të diskutuar për përfundimin e luftës së Rusisë ndaj Ukrainës. Të dy liderët kanë shprehur se “momenti është i duhur” për një samit të tillë, edhe pse data dhe vendndodhja nuk janë konfirmuar ende.

Presidenti amerikan nuk dha detaje mbi afatin 10-ditor që ka vendosur për një armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës, i cili skadon të premten. Nëse nuk ka përparim, Trump ka kërcënuar me sanksione ndaj partnerëve tregtarë të Rusisë, ndërsa ka shpallur tashmë tarifa të reja për Indinë.

I pyetur nëse ky afat ende vlen, Trump tha: “Do të shohim çfarë ka për të thënë ai [Putin]. Gjithçka do të varet prej tij”.

Rusia vijon prej më shumë se tre vitesh luftën shkatërrimtare kundër Ukrainës. Trump ka deklaruar në mënyrë të përsëritur dëshirën për t’i dhënë fund konfliktit sa më shpejt.

Ky samit do të ishte takimi i parë mes një presidenti në detyrë të SHBA-ve dhe Putinit që nga viti 2021, kur Joe Biden u takua me të në Gjenevë.

 


Video