Tre vende bllokojnë embargon e naftës ruse në BE

30 May 2022, 18:49Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Tre vende bllokojnë embargon e naftës ruse në BE

Udhëheqësit e Bashkimit Europian nuk arritën as sot të arrijnë marrëveshje për një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë, ndërsa takimet për këtë çështje pritet të vazhdojnë dhe nesër në kuadër të një takimi të nivelit të lartë në Bruksel.

Udhëheqësit pritet të bien dakord në parim për një masë, por të gjitha hollësitë dhe vendimet e vështira janë lënë për më vonë.

“Ende nuk jemi në atë pikë”, tha presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.

Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas tha se është më realiste të pritet arritja e një marrëveshjeje muajin e ardhshëm.

Samiti i radhës është parashikuar për 23 dhe 24 qershor.

Presidenti francez Emmanuel Macron u tha gazetarëve se marrëveshja e shumëkërkuar për paketën e gjashtë të sanksioneve po afrohet, por pa dhënë hollësi tjera.

Disa udhëheqës shprehën pakënaqësinë që nuk është arritur një konsensus.

Projektmarrëveshja, një dokument që mund të rishqyrtohet, parasheh një paketë të gjashtë sanksionesh të Bashkimit Europian për ndalim të importeve të naftës përmes detit.

Por Hungaria së bashku me Sllovakinë, Republikën Çeke dhe Bullgarinë, varen nga nafta ruse dhe thonë se nuk mund ta përballojnë një masë të tillë. Hungaria siguron mbi 60 për qind të naftës dhe 85 për qind të gazit të saj natyror nga Rusia. Kryeministri hungarez Viktor Orban vazhdon të kundërshtojë embargon e naftës ruse.

Ai tha se vendit të tij i duhet garanci se mund të furnizohet me naftë përmes detit, ndërsa dërgesat ruse të naftës përmes tubacionit Druzhba do të ndaleshin.

“Në këtë moment nuk ka asnjë kompromis. Ne jemi të gatshëm të mbështesim paketën, nëse ka një zgjidhje për furnizimin me energji të Hungarisë, të cilën nuk e kemi deri tani”, tha Orban.

 


Video