Ka disa kohë që flitet shumë për gjendjen shëndetësore të Presidentit të Federatës Ruse, Vladimir Putin dhe asnjëherë nuk ka pasur reagim zyrtar.
Por dyshimet e shumta që janë ngritur, kanë detyruar një reagim publik për herë të parë nga Kremlini.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka komentuar sot zërat për përkeqësimin e shëndetit të Presidentit rus Vladimir Putin, duke cituar agjencinë ruse të lajmeve Tass.
Lavrov tha se Putin bën dalje publike çdo ditë dhe njerëzit kanë mundësi ta vërtetojnë vetë se Presidenti nuk ka asnjë shenjë sëmundjeje, ndërsa ua la në ndërgjegje të gjithë atyre që kanë shpërndarë informacionet sipas tij të rreme.
"Presidenti Vladimir Putin bën dalje publike çdo ditë. Ju mund ta shihni atë në ekranet televizive, të lexoni dhe dëgjoni fjalimet e tij.
Nuk mendoj se një person i arsyeshëm mund të dyshojë për ndonjë shenjë të një sëmundjeje te ky njeri.
Unë do ta lë në ndërgjegjen e atyre që shpërndajnë thashetheme të tilla, pavarësisht nga mundësitë e përditshme që të gjithë të shohin se si duken ai dhe të tjerët", tha Lavrov.