Tre emrat e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetar kuvendi në seancën konstituive të kësaj të diele nuk arritën që të siguronin 61 votat e nevojshme.
LVV fillimisht propozoi ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Muratin, edhe pse nuk u 'kualifikua' në seancën e kaluar, duke bërë që të rrëzohej sërish. Nga 106 deputetë të pranishëm, Murati mori vetëm 55 vota pro, 46 kundër dhe 5 abstenime.
Edhe emri i dytë i propozuar Arbërie Nagavcin, ministrja në detyrë e Arsimit, u rrëzua me 55 vota pro, 47 kundër dhe 4 abstenime.
Edhe Dimal Basha nuk arriti që të merrte votat e nevojshme pasi 57 votuan pro, 25 kundër dhe 24 abstenime. Seanca e radhës konstituive do të mbahet më 26 gusht, në orën 11:00.
Kjo ishte përpjekja e tretë pa sukses që nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili përcakton që kandidatët mund të hidhen në votim vetëm deri në tre herë dhe se votimi duhet të jetë i hapur.