Tramvaji del nga shinat në Milano: Dy të vdekur dhe 38 të plagosur

27 February 2026, 18:15Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Tramvaji del nga shinat në Milano: Dy të vdekur dhe 38 të

Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e kësaj të premteje, në Milano, ku një tramvaj ka dalë nga shinat dhe është përplasur me një pallat, duke lënë dy persona të vdekur dhe të paktën 38 të plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00, më 27 shkurt, në zonën e Vittorio Veneto. Sipas dëshmitarëve, tramvaji po ecte shumë shpejt dhe menjëherë u kuptua se diçka nuk ishte në rregull.

Në pikën ku ndodhet një devijim i shinave që lejon kthesën majtas, tramvaji, që teorikisht duhej të vazhdonte drejt, ka marrë kthesën. Për shkak të shpejtësisë së lartë, ai ka dalë nga shinat dhe është përplasur me pallatin në cep të rrugës, duke rrëzuar edhe semaforin dhe duke shkatërruar vitrinën e një restoranti.

Sipas disa burimeve, disa persona kanë mbetur të bllokuar poshtë tramvajit.

Ende nuk është e qartë nëse ata po kalonin rrugën dhe makinisti ka tentuar një frenim të menjëhershëm apo një manovër të papritur për t’i shmangur.

Një prej pasagjerëve ka rrëfyer momentet e frikshme të aksidentit për agjencinë ANSA.

"Mendova se ishte tërmet. Isha ulur dhe rashë në dysheme, së bashku me pasagjerët e tjerë. Ishte e tmerrshme.

Për fat të mirë, godita vetëm gjurin, por burri pranë meje po i rridhte gjak nga koka. Më duhej pak kohë të ngrihesha dhe të zbrisja,” u shpreh ai.

Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje mbërritën 11 ambulanca, ndërsa ekipet e zjarrfikësve po punojnë për të nxjerrë një person që mbeti i bllokuar.

Gjithashtu, pesë mjete zjarrfikëse me rreth 25 efektivë janë angazhuar në operacionin e shpëtimit.


Video