Ish-ambasadori britanik në Shtetet e Bashkuara, Peter Mandelson është arrestuar nga Policia e Londrës, këtë të hënë, nën dyshimin për shpërdorim detyre.
Arrestimi i tij vjen pas zbulimeve të fundit mbi lidhjet e lordit britanik me famëkeqin, Jeffrey Epstein.
Mandelson, 72 vjeç, u shkarkua nga posti më prestigjioz në shërbimin diplomatik të Britanisë në shtator, kur detajet e lidhjes së tij me Epstein filluan të dilnin në sipërfaqe.
Policia Metropolitiane nisi hetimet ndaj ish-ambasadorit, në fillim të këtij muaji, pasi qeveria e Kryeministrit, Keir Starmer publikoi komunikimet midis tij dhe Epstein.
Emailet midis dy burrave të publikuara nga departamenti i drejtësisë treguan një marrëdhënie më të ngushtë nga sa ishte njohur publikisht, dhe Mandelson kishte ndarë informacione të ndjeshme me financierin, kur ai ishte ministër në qeverinë e ish-Kryeministrit, Gordon Brown.
Më herët gjatë këtij muaji, lordi britanik kishte dhënë dorëheqjen nga Partia Laburiste dhe nga pozicioni i tij në Dhomën e Lartë të Parlamentit.
Lordi Mandelson është “Viktima e dytë” e Epstein në Britani, pas arrestimit të bujshëm të vëllait të mbretit Charles Andrew Mountbatten, javën e kaluar.