
Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha të premten në një deklaratë të dërguar nga Pallati i Elizesë se ishte “tmerrësisht i shqetësuar”, rreth “rreziqeve për sigurinë bërthamore dhe zbatimin e masave mbrojtëse ndërkombëtare që rezultojnë nga pushtimi rus i Ukrainës”.
Macron shtoi se Franca, së bashku me partnerët ndërkombëtarë, ka thirrur një mbledhje emergjente të Këshillit të Sigurimit mbi këtë çështje.
“Presidenti i Republikës dënon me forcë çdo sulm në integritetin e ndërtesave bërthamore civile ukrainase të shkaktuara nga trupat ruse si rrjedhojë e agresionit të tyre ushtarak kundër Ukrainës. Është e domosdoshme të garantohet siguria dhe mbrojtja e tyre”, thuhej në deklaratë.
Presidenti francez i ka bërë thirrje Rusisë që të ndalojë veprimet e saj ushtarake, të cilat thotë se janë të rrezikshme dhe “të lejojë kontrollin e plotë nga autoritetet ukrainase mbi ndërtesat bërthamore brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës”.
“Rusia duhet të lejojë akses të lirë, të rregullt dhe të papenguar të personelit në objekte për të siguruar funksionimin e tyre të vazhdueshëm dhe të sigurt”, shtohet në deklaratën e Elizesë.
Po ashtu mësohet se Macron ka pasur një telefonatë me Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Sipas CNN, Franca do të propozojë në orët në vijim masa konkrete për të siguruar sigurinë dhe mbrojtjen e 5 centraleve kryesore bërthamore në Ukraina.
“Rusia dhe Ukraina duhet të arrijnë një marrëveshje mbi këtë bazë dhe së bashku të sigurojnë zbatimin e parimeve themelore për ruajtjen e sigurisë bërthamore dhe të mbrojtjes së objekteve bërthamore në kontekstin aktual”, përfundoi deklarata e Elizesë.