
Shtëpia e Bardhë është distancuar nga senatori republikan Lindsey Graham i cili bëri thirrje për vrasjen e presidentit rus Vladimir Putin.
Të premten, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, u tha gazetarëve: “Ky nuk është qëndrimi i qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe sigurisht nuk është një deklaratë që do ta dëgjonit nga goja e kujtdo që punon në këtë administratë”.
Çfarë deklaroi senatori amerikan?
Senatori amerikan Lindsey Graham tha të enjten mbrëma se presidenti rus Vladimir Putin duhet të vritet nga njerëzit e tij.
Kjo sipas tij do të ishte mënyra e vetme për t’i dhënë fund krizës së nxitur nga pushtimi rus në Ukrainë.
Graham e bëri këtë pohim për herë të parë gjatë një emisioni televiziv e më pas ai përsëriti komentin në Twitter.
“Të vetmit njerëz që mund ta rregullojnë këtë janë populli rus. Lehtë për t’u thënë, e vështirë për t’u bërë. Nëse nuk doni të jetoni në errësirë për pjesën tjetër të jetës tuaj, të jeni të izoluar nga pjesa tjetër e botës, në varfëri të tmerrshme dhe të jetoni në errësirë, ju duhet të veproni tani”, shkroi Graham.
Graham shërbeu për më shumë se tre dekada si avokat në Forcat Ajrore të SHBA-së, në detyrë aktive dhe më pas në rezervë. Ai shihet si një zë me ndikim brenda Partisë Republikane për çështjet ushtarake dhe të politikës së jashtme.