
Të enjten, një nga burimet e fundit të pavarura të lajmeve në Rusi, TV Rain ndaloi transmetimin pasi u vu nën presion për mënyrën e mbulimit të luftës në Ukrainë.
Kanali e mbylli transmetimet duke treguar të gjithë stafin që po largohej në grup nga zyrat.
Rregullatori rus i telekomunikacionit e kishte akuzuar kanalin për "nxitje të ekstremizmit, abuzim me qytetarët rusë, shkaktim të prishjes masive të qetësisë dhe sigurisë publike dhe inkurajimit të protestave".
"Jo luftës", tha Natalia Sindeyeva, një nga themelueset e kanalit, ndërsa punonjësit dolën nga studioja.
Kanali më pas filloi të shfaqte muzikën dhe pamjet e Liqenit të Mjellmave të Çajkovskit.
Kjo muzikë është përdorur në transmetimet e epokës sovjetike për të shënuar vdekjen e liderëve dhe u luajt gjithashtu gjatë grushtit të shtetit të vitit 1991 që kontribuoi në fundin e Bashkimit Sovjetik.
Kryeredaktori i stacionit, Tikhon Dzyadko, u largua nga Rusia të mërkurën, duke thënë se kjo ishte për shkak të shqetësimeve për sigurinë e tij.
"Problemi kryesor është se ne po mbulonim Ukrainën në mënyrë objektive, si gazetarë profesionistë dhe mbulonim nga anët e ndryshme. Kishim gazetarë që shkonin drejtpërdrejt dhe mbulonin situatën", i tha BBC-së Ekaterina Kotrik, prezantuese e TV Rain dhe ish-drejtuese e lajmeve.