Një i burgosur shqiptar është arratisur në mënyrë spektakolare nga një burg në Itali.
Autoritetet italiane thonë se janë duke kërkuar 40-vjeçarin shqiptar të dënuar për trafik droge, dhe dyshojnë se fshihet në zonën e Abruzzos.
Sipas medieve italiane, 40-vjeçari shqiptar është ndihmuar nga një dron i jashtëm.
Në deklaratën e policisë thuhet se “Dyshohet se i burgosuri është arratisur falë ndihmës së një droni të jashtëm, i cili i ka siguruar mjetet e nevojshme për t’u larguar nga burgu i Teramos. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotme. Për momentin janë duke u ekzaminuar regjistrimet e të gjitha kamerave të burgut Teramo për të kuptuar dinamikën e saktë të arratisjes së kryer nga i burgosuri shqiptar”.
Ngjarja ka shkaktuar reagime në Itali, ku shumë prej tyre, përfshirë dhe mediat e kanë cilësuar ngjarjen si “aksion i denjë për një film”.