Shkarkohet kreu i parlamentit të Malit të Zi

7 February 2022, 21:46Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Shkarkohet kreu i parlamentit të Malit të Zi

Pas rrëzimit të qeverisë shkarkohet edhe kreu i parlamentit të Malit të Zi, Aleksa Beçiç.

Seanca u shoqërua me debate të ashpra, ndërsa në fund u vendos për shkarkimin e Beçiç. Gjithsej votuan 79 deputetë, nga të cilët 43 votuan pro dhe 36 kundër.

Qeveria e Krivokapiç, u rrëzua më 4 shkurt, me votat e opozitës dhe të Lëvizjes Qytetare URA. Mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë u iniciua nga pikërisht nga URA.

Nga ana e tij Dritan Abazoviç ka thënë se pas rënies së qeverisë së Krivokapiç do të fillojnë bisedimet për formimin e një pushteti të ri ekzekutiv.

Ai gjithashtu është shprehur se ka disa opsione për zgjidhjen e situatës, përfshirë edhe zgjedhjet e parakohshme.

Ndërsa, Presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviç u shpreh se partia e tij do të mbështesë një qeveri të pakicës të propozuar nga Dritan Abazoviç si e vetmja garanci për të mbrojtur vendin nga nacionalizmi serb.

Në një intervistë për Deutche Welle, Gjukanoviç tha se Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) i ka ofruar mbështetje qeverisë pakicë edhe pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, duke besuar se “do të jetë shumë e rrezikshme për Malin e Zi, nëse koalicioni qeverisës bëhet kaq i varur nga nacionalizmi serbomadh”.

“Qeveria e deritanishme përbëhej nga tre koalicione, njëra prej të cilave është koalicion i profilizuar qartë i Serbisë së Madhe. Ne kemi menduar, se nëse një qeveri e tillë përcakton politikën shtetërore, kjo do të ishte shumë e rrezikshme për Malin e Zi”, tha Gjukanoviç.

Ai theksoi se Mali i Zi është “në proces të konsolidimit të pushtetit” dhe se interesi më i madh i vendit është që sa më shpejt të ketë një qeveri të përgjegjshme.


Video