
Koreja e Veriut ka vjedhur kriptovaluta me vlerë miliona dollarë përmes sulmeve kibernetike dhe paratë e siguruara janë përdorur për të financuar programet e raketave.
Gjetjet janë në një raport të OKB-së, ku vlerësohet se në 2020 dhe deri në gjysmën e parë të 2021 janë të paktën 50 mln dollarë asete dixhitale të vjedhura nga hakerat shtetërorë të Penianit.
OKB thotë se sulmet e tilla janë një "burim i rëndësishëm të ardhurash" për programin e raketave bërthamore dhe balistike të Penianit.
Gjetjet i janë dorëzuar komitetit të sanksioneve të OKB-së të premten. Sulmet kibernetike synuan të paktën tre shkëmbime kriptomonedhash në Amerikën e Veriut, Europë dhe Azi.
Raporti iu referua gjithashtu një studimi të botuar muajin e kaluar nga firma e sigurisë Chainalysis që sugjeroi se sulmet kibernetike të Koresë së Veriut mund të kishin fituar deri në 400 milionë dollarë asete dixhitale vitin e kaluar.
Në vitin 2019, OKB-ja raportoi se Koreja e Veriut kishte grumbulluar rreth 2 miliardë dollarë për programet e saj të armëve të shkatërrimit në masë duke përdorur sulme të sofistikuara kibernetike. Koreja e Veriut është ndaluar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së të kryejë teste bërthamore dhe të lëshojë raketa balistike.
Megjithatë, raporti i OKB-së thotë se pavarësisht sanksioneve gjymtuese, Koreja e Veriut ka qenë në gjendje të vazhdojë zhvillimin e infrastrukturës së saj bërthamore dhe raketore balistike. Ajo gjithashtu ka vazhduar të kërkojë materiale, teknologji dhe njohuri jashtë vendit, duke përfshirë mjetet kibernetike dhe kërkimin e përbashkët shkencor.
Monitoruesit e sanksioneve thanë se kishte pasur një "përshpejtim të dukshëm" të testimit të raketave nga Peniani përgjatë 2021 dhe mbeten të paqarta burimet e financimit të tij. Shtetet e Bashkuara thanë të premten se Koreja e Veriut kreu nëntë teste raketash vetëm muajin e kaluar.
Të premten, Kina dhe Rusia refuzuan të nënshkruajnë një deklaratë që dënon përhapjen e lëshimeve të raketave të Koresë së Veriut. Të dielën, SHBA njoftoi se përfaqësuesi i saj i posaçëm për Korenë e Veriut do të takohet me zyrtarë japonezë dhe koreano-jugorë më vonë këtë javë për të diskutuar situatën.
Raporti i OKB-së zbuloi gjithashtu se situata humanitare në Korenë e Veriut po vazhdonte të përkeqësohej. OKB tha se kjo ka të ngjarë të jetë rezultat i vendimit të vendit për të mbyllur kufijtë gjatë pandemisë.