Dy pamje të reja satelitore kanë zbuluar disa objekte të paidentifikueshme, të vendosura në tarracën e Reaktorit 4 në centralin bërthamor të Zaporizhias në Ukrainë.
Fotografitë e kapura nga satelitët, të publikuara nga “Planet Labs”, janë shkrepur në datën 5 korrik, një ditë pasi presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky pretendoi se forcat ruse kanë minuar centralin bërthamor që është më i madhi në Europë.
Ekspertë të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike zhvilluan një kontroll dy ditor në ambientet e centralit bërthamor, por deklaruan se nuk kishin gjetur asnjë shenjë të minave apo eksplozivëve. Megjithatë IAEA tha një një njoftim për media se ekspertët e tyre nuk kishin patur akses te të gjitha ambientet e centralit, dhe veçanërisht në tarracë.
Nga fotografitë duken tre objekte të bardha të vendosura në distancë nga njëra-tjetra në tarracën e Reaktorit 4. Duke komentuar pamjet, presidenti Zelensky tha se tashmë Ukraina ka informacione nga inteligjenca se rusët kanë vendosur eksplozivë në centralin bërthamor, me gjasë për të stimuluar ndonjë shpërthim.

Megjithatë, ekspertët thonë se është gati e pamundur të verifikohet përmes këtyre fotografive nëse objektet janë ose jo eksplozivë. Prej disa javësh, palët në Ukrainë dhe Rusi i kanë drejtuar gishtin njëri-tjetrit duke ngritur akuza se po përgatisin shpërthimin e centralit bërthamor.
Nëse diçka e tillë do të ndodhte, do të ishte një katastrofë me përmasa të pallogaritshme njerëzore dhe ekologjike. Centrali bërthamor i Zaporizhias është më i madhi në Europë dhe ka katër reaktorë të cilët prodhojnë energji atomike.