Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka akuzuar Kosovën për kryerjen e “spastrimit etnik të heshtur” të serbëve dhe tha se vendi i tij do të kërkojë një takim me shefin e NATO-s si dhe dhe një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të kërkuar mbrojtjen e tyre.
“Gjërat janë jashtë kontrollit”, deklaroi Vuçiç, duke shtuar se “serbët janë tepër të shqetësuar”.
Ai tha se do të kërkojë takim urgjent me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, përpara se të kërkojë një seancë urgjente për këtë çështje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Serbia mund të fillojë “veprimtari” të vështira të papërcaktuara nëse të dy nismat nuk japin rezultate, paralajmëroi ai.
“Ne nuk kemi të drejtë të lejojmë masakër të mëtejshme, persekutim apo spastrim etnik të popullit tonë”, tha Vuçiç.
Më herët, Serbia kishte vendosur ushtrinë në gatishmëri në kufi me Kosovën, pasi tensionet ishin rritur së tepërmi mes serbëve në Veri të Kosovës dhe autoriteteve lokale. Megjithatë e paqartë është se cilat janë episodet që Vuçiç i referohet si “spastrim etnik”, pasi nga ana tjetër, autoritetet e Kosovës akuzojnë Beogradin për provokime të rënda, deri te armatimi i serbëve në veri të vendit.
Vuçiç ka thënë se ky spastrim i supozuar etnik i serbëve në Kosovë është “i planifikuar dhe i mirëmenduar”.
Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës arritën kulmin kur forcat speciale serbe shkelën vijën kufitare dhe rrëmbyen në Veri të Mitrovicës tre anëtarë të policisë së Kosovës.
Vetëm pas presioneve të njëpasnjëshme të ndërkombëtarëve, Vuçiç u bind për të urdhëruar lirimin e tyre.
Presidenti serb ka sulmuar ditën e sotme edhe deputeten e Britanisë së Madhe Alicia Kearns, duke thënë se do kërkojë nisjen e hetimit ndaj saj. Kearns është ndër të parat që ka denoncuar armatosjen e serbëve në veri të Kosovës, me ambulanca dhe makina civile nga Beogradi.
Deklaratat e forta të Vuçiç vijnë në një kohë kur kryeministri Edi Rama ndodhet në Prishtinë dhe pritet të mbërrijë pasnesër në Beograd, në kuadër të turit ballkanik. Sipas agjendës, Rama do të pritet të premten nga Vuçiç me të cilin më pas do të mbajë një konferencë për shtyp si dhe një darkë pune.