
Thirrja për largimin e qytetarëve amerikanë nga Ukraina u përsërit edhe nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Ai paralajmëroi se Moska mund të pushtojë Ukrainën në çdo moment.
“Për ta thënë thjesht, ne vazhdojmë të shohim sinjale shqetësuese të një përshkallëzimi, përfshirë forca të reja që mbërrijnë në kufirin ukrainas. E kemi thënë edhe më herët, jemi në një dritare kur pushtimi mund të nisë në çdo moment, edhe gjatë Lojërave Olimpike. Po vijojmë të tërheqim stafin e ambasadës sonë nga Ukraina dhe kemi qenë shumë të qartë në kërkesën se çdo qytetar amerikan atje, duhet të largohet tani”, tha Blinken.
Më herët, Presidenti amerikan, Joe Biden, u kërkoi të gjithë qytetarëve amerikanë të mbetur në Ukrainë të largohen menjëherë nga vendi, duke cituar kërcënime në rritje për aksion ushtarak rus. Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se nuk do të dërgonte trupa për të shpëtuar amerikanët, nëse Moska pushton Ukrainën. Ai paralajmëroi se gjërat në rajon mund të çmendeshin shumë shpejt.
“Ajo që kam kërkuar është që shtetasit amerikanë të largohen nga Ukraina, të largohen tani. Kemi të bëjmë me një prej ushtrive më të mëdha në botë. Gjërat mund të çmenden me shpejtësi”, tha Biden.
Edhe shtetasve holandezë, britanikë dhe norvegjezë u është kërkuar nga vendet përkatëse të largohen menjëherë nga Ukraina.
Qeveria holandeze ka zhvendosur trupën e saj diplomatike nga Kievi në Lviv për arsye sigurie dhe këshilloi qytetarët që të largohen nga Ukraina sa më shpejt të jetë e mundur.
Ndërsa Zyra e Jashtme britanike thotë se "shtetasit britanikë në Ukrainë duhet të largohen tani, ndërkohë që ka ende mjete në dispozicion për të udhëtuar". “Shtetasit britanikë nuk duhet të presin mbështetje të shtuar konsullore për evakuim në këto rrethana”, thuhet në një njoftim nga Ministria e Jashtme.
Qeveria e Norvegjisë ka dhënë të njëjtën këshillë për shtetasit e saj, duke u bërë thirrje të gjithë norvegjezëve që të largohen menjëherë nga Ukraina "për shkak të situatës serioze dhe të paparashikueshme" dhe të qëndrojnë të paktën 250 km nga kufiri ukrainas/rus. Ministria këshillon gjithashtu kundër çdo udhëtimi në Bjellorusi, përveç kryeqytetit Minsk.
Një tjetër vend që u ka kërkuar të gjithë shtetasve që të evakuohen nga Ukraina dhe të shmangin udhëtimet "pavarësisht qëllimeve" është Japonia.
Ndërkohë edhe presidenti amerikan Joe Biden u ka bërë thirrje më herët qytetarëve amerikanë që të largohen nga vendi, duke paralajmëruar se "gjërat mund të çmenden shpejt".