
Qeveria amerikane po planifikon të përdorë 7 miliardë dollarë nga asetet e ngrira afgane për të kompensuar viktimat e sulmeve të 11 shtatorit dhe për shpenzimet e ndihmës ndaj shoqërisë civile dhe të drejtave të njeriut në Afganistan.
Uashingtoni i ngriu paratë pasi talebanët morën pushtetin vitin e kaluar, por ka qenë nën presion për të gjetur një mënyrë për t'i përdorur ato pa ndihmuar militantët. Talebanët kanë kërkuar vazhdimisht që paratë të zhbllokohen për të shmangur një katastrofë humanitare.
Masa erdhi në një urdhër ekzekutiv që shpalli një emergjencë kombëtare. Sa u përket fondeve, urdhri i Presidentit Biden i bllokon ato zyrtarisht dhe thotë se institucionet financiare amerikane duhet t'i transferojnë ato në një llogari të konsoliduar në Rezervën Federale.
Paratë, së bashku me 2 miliardë dollarë të tjera të mbajtura në Europë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe gjetkë, janë kryesisht të ardhurat e ndihmës ndërkombëtare të dhëna Afganistanit gjatë dy dekadave të fundit.
Të premten, një zyrtar i lartë i administratës tha se do të krijohej një fond besimi i palës së tretë prej 3.5 miliardë dollarësh për të siguruar që paratë adresojnë nevojat e menjëhershme humanitare të popullit afgan, ndërsa në të njëjtën kohë "të sigurohet që asnjë përfitim të mos shkojë drejtpërdrejt për talebanët".
"Ne nuk kemi marrë vendime specifike se si do të përdoren fondet" tha zyrtari, duke shtuar se do të duheshin muaj para se paratë të ishin në dispozicion, në pritje të një vendimi gjyqësor.
Pjesa tjetër e parave, tha zyrtari, do të mbetej në SHBA dhe do t'i nënshtrohej procesit gjyqësor të vazhdueshëm për të parë mundësinë e shpërndarjes së tyre për viktimat amerikane të terrorizmit.
Në vitin 2010, rreth 150 anëtarë të familjeve të njerëzve të vrarë më 11 shtator ngritën disa padi, duke përfshirë talebanët dhe al-Kaedën për rolin e tyre në lehtësimin dhe planifikimin e sulmit. Disa nga këto padi kanë ngritur pretendime për këto fonde dhe vendimi do të merret nga një gjykatë, që do të duhet të përcaktojë nëse ata mund t'i aksesojnë ato.