Gjermania shton përpjekjet diplomatike për shmangien e luftës në Ukrainë

11 February 2022, 20:32Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Gjermania shton përpjekjet diplomatike për shmangien e luftës

Në Berlin u mbajt takimi i dytë i Formatit të Normandisë, ku morën pjesë Gjermania, Franca, Rusia dhe Ukraina. Këshilltarë të lartë të politikës së jashtme të Rusisë dhe të Ukrainës folën në Berlin, për nëntë orë me njëri-tjetrin. Megjithë, rezultate konkrete nuk pati.

Temë qendrore ishte zbatimi i Marrëveshjes së Minskut, ku janë përqendruar aktualisht përpjekjet diplomatike për krizën e Ukrainës. Kjo marrëveshje është dokumenti i vetëm aktual i sigurisë, i nënshkruar, si nga Rusia, ashtu edhe nga Ukraina.

Në Berlin, pala ruse kërkoi nga ndërmjetësuesit që t'i bëhet presion më i madh Ukrainës. Sipas burimeve franceze në takim, Rusia kërkoi që Ukraina të negociojë me separatistët në Donjeck e Luhansk. Kjo mbetet deri tani vijë e kuqe për Ukrainën.

Për momentin, disa ekspertë e shohin Marrëveshjen e Minskut si rrugën e vetme realiste për të dalë nga konflikti. Edhe presidenti francez Macron e vuri këtë marrëveshje në qendër të vëmendjes, në vizitën në Moskë e Kiev.

Sipas Marrëveshjes së Minskut, palët duhet të tërheqin plotësisht armët e rënda dhe njësitë e huaja ushtarake; zonat nën kontrollin e separatistëve prorusë, Luhansk dhe Donjetsk duhet të vihen nën administrim lokal; Ukraina duhet të rimarrë kontrollin e plotë të kufirit.


Video