Rusia akuzoi Kievin këtë të mërkurë për rrëzimin e një avioni transporti ushtarak, duke vrarë të gjithë 74 personat në bord, përfshirë 65 të burgosur ukrainas të luftës.
Fluturimi ishte rrugës për në rajonin jugor të Belgorodit përpara një shkëmbimi të të burgosurve në kufi, kur u rrëzua nga një “akt terrorist”, tha Kremlini.
Mediat ndërkombëtare nuk kanë mundur të verifikojnnë në mënyrë të pavarur se kush ishte në bordin e fluturimit ose çfarë e shkaktoi rrëzimin e tij. Zyrtarët ukrainas paralajmëruan kundër ndarjes së “informacionit të paverifikuar”, por nuk i mohuan menjëherë pretendimet apo ofruan detaje të mëtejshme.
Avioniu “Ilyushin Il-76” ishte duke “kryer një fluturim të planifikuar” në një aeroport afër kufirit kur u rrëzua nga një sistem raketor anti-ajror, tha në një deklaratë Ministria Ruse e Mbrojtjes.
“Në bordin e avionit ishin gjashtë anëtarë të ekuipazhit, 65 personel ushtarak ukrainas për shkëmbimin dhe tre personel ushtarak rus që i shoqëronin. Ekuipazhi dhe të gjithë pasagjerët e avionit u vranë”, thuhet në deklaratë.
Sistemet ruse të radarëve “vëzhguan lëshimin e dy raketave ukrainase”, thotë Kremlini. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se qeveria e Ukrainës “e dinte shumë mirë se, sipas praktikës së vendosur”, një avion transporti ushtarak do të fluturonte në atë rrugë përpara shkëmbimit të planifikuar të të burgosurve.
Ushtria e Ukrainës tha në një deklaratë se forcat e saj “marrin të gjitha masat për të mbrojtur Ukrainën dhe ukrainasit”.
“Për të reduktuar kërcënimin me raketa, Forcat e Armatosura të Ukrainës jo vetëm kontrollojnë hapësirën ajrore, por gjithashtu monitorojnë në detaje pikat e lëshimit të raketave dhe logjistikën e dorëzimit të tyre, veçanërisht me përdorimin e aviacionit të transportit ushtarak”, thuhet në njoftim.