Ofensiva ruse në Ukrainë ka ngecur. Përparimi i ushtrisë drejt Kievit nuk ka bërë progres të dukshëm prej ditësh dhe trupat, gjithnjë e më të demoralizuara, kanë filluar të pësojnë humbje. Kështu bëjnë të ditur burime të inteligjencës perëndimore, të cilët vlerësojnë mbi 7 mijë të vdekur në radhët ruse dhe 14 deri 21 mijë të plagosur.
Rezistenca e ashpër e popullit ukrainas i ka kapur në befasi trupat e Putinit, të cilët gjenden tashmë pa një strategji për të përballuar një skenar të tillë.
"Janë bllokuar rreth Kievit", argumentojnë agjentët e shërbimeve sekrete.
Përdorimi masiv i sulmeve me raketa është një provë e prekshme se ushtria ruse nuk ka burimet e nevojshme për të nisur një ofensivë të fortë tokësore. Për më tepër, humbjet e mëdha po e detyrojnë Putinin të kërkojë "forca shtesë" duke punësuar mercenarë "nga Çeçenia dhe Siria".
Një tjetër provë e ngadalësimit të Putinit në Ukrainë është vrasja e katër gjeneralëve të ushtrisë: Oficerët e rangut të lartë, shpjegojnë shërbimet e inteligjencës, zakonisht qëndrojnë larg fushës së betejës, por në këtë rast ata janë të detyruar të mbikëqyrin nga afër trupat, që me sa duket janë në vështirësi në menaxhimin e një konflikti për të cilin ata nuk ishin të përgatitur.
Sipas agjentëve, morali i ushtrisë ruse është në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave. Shumë prej tyre, të rinj dhe të papërgatitur, as që e dinin se po përballeshin me një luftë të vërtetë para se të niseshin.
Rezistenca ukrainase është një pengesë që ushtria pushtuese nuk e imagjinonte, pasi ishin të bindur se do merrnin Kievin brenda një kohe të shkurtër. Megjithatë kanë kaluar tre javë dhe pesha e një konflikti kaq të gjatë dhe rraskapitës ka filluar të ndihet.
Ndërkohë, negociatat po përparojnë dhe në të njëjtën kohë bombardimet e qyteteve të Ukrainës nuk tregojnë asnjë shenjë zbutjeje. Dhe kjo nuk është shenjë fuqie e Putinit: kur koha shtrëngon dhe burimet janë të pakta - ofensiva ushtarake zakonisht tenton të përshpejtojë. Por Kievi mbetet ende larg për ushtrinë ruse e cila "ka ngecur" në rrethinat e qytetit/VOXnews.al