Një prokuror i lartë paraguajan, që luftoi kundër krimit të organizuar në vendin e tij është qëlluar për vdekje gjatë muajit të mjaltit në Kolumbi. Marcelo Pecci ishte në një plazh në ishullin turistik Baru kur u vra nga dy persona të armatosur.
Disa orë para ekzekutimit, bashkëshortja e Peçi-t kishte njoftuar në Instagram se ishte shtatzënë.
Presidenti i Paraguajit Mario Abdo Benitez e përshkroi ekzekutimi si ‘akt burracakësh’.
Gruaja e Pecci-t, gazetarja Claudia Aguilera dëshmoi se dy burra iu afruan në një plazh privat përpara se burri i saj të qëllohej. Ajo tha se ata nuk kishin marrë asnjë kërcënim më parë.
"Dy burra sulmuan Marcelo. Ata erdhën me një varkë të vogël, apo me një jet skii. Nuk jam e sigurtë se nuk e pashë mirë”, tha ajo për gazetën “El Tiempo”.
“Një nga sulmuesit doli dhe pa asnjë paralajmërim ai qëlloi dy herë Marcelon, një plumb e goditi në fytyrë dhe një tjetër në shpinë", tha ajo.
Hoteli Decameron, ku çifti po qëndronte, tha në një deklaratë se "vrasësit mbërritën në plazh dhe sulmuan dhe vranë një nga klientët e tij".
Prokurori paraguaian Augusto Salas, një koleg i Marcelo Peçi tha se sulmi dukej "tipik i mafies së drogës”. Kreu i policisë kolumbiane dhe hetuesit nga Paraguaj kanë analizuar vendngjarjen.
Zyrtarët nga Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë gjithashtu hetimin, tha shefi i policisë kombëtare të Kolumbisë, gjenerali Jorge Luis Vargas.
Pecci ishte i specializuar në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës, pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit. .
Në vitin 2020 ai punoi në një çështje kundër ish-futbollistit brazilian Ronaldinho, i cili u arrestua duke u përpjekur të hynte në Paraguaj me një pasaportë të rreme paraguajane.
“Vrasja burracake e prokurorit Marcelo Pecci në Kolumbi trishton të gjithë kombin paraguajan”, shkroi presidenti paraguaian Mario Abdo në Twitter.