Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, e cilësoi si “të guximshëm dhe brilant” operacionin ushtarak të ndërmarrë nga SHBA kundër objekteve bërthamore të Iranit, gjatë një deklarate për mediat nga Pentagoni.
Ai tha se “shumë presidentë kanë ëndërruar t’i japin goditjen përfundimtare programit bërthamor të Iranit, por asnjëri nuk ia doli, deri kur erdhi Donald Trump”.
Hegseth shtoi se “kur flet Presidenti Trump, bota duhet të dëgjojë”, duke theksuar se asnjë vend tjetër përveç SHBA-së “nuk do të kishte mundur të realizonte një operacion të tillë”.
Shtetet e Bashkuara po bëjnë përpjekje të shumta për të komunikuar me zyrtarët iranianë pas sulmeve ajrore ndaj objekteve bërthamore në Iran, ndërsa presidenti Donald Trump dhe krerët e administratës së tij bëjnë thirrje për zgjidhje diplomatike të krizës.
“Mund të konfirmoj se po dërgohen mesazhe, si publike ashtu edhe private, përmes disa kanalesh drejt e tek iranianët, duke u dhënë çdo mundësi për të ardhur në tryezën e bisedimeve,” deklaroi Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Shtoi se Irani është plotësisht i vetëdijshëm për pozicionin amerikan: “Ata e kuptojnë saktësisht se cili është qëndrimi i SHBA-së, dhe çfarë hapash mund të ndërmarrin për të bërë të mundur paqen. Shpresojmë që ta bëjnë këtë.”