
Një nga njerëzit më të pasur të Rusisë ka thënë se vendosja e sanksioneve ndaj oligarkëve nuk ka asnjë ndikim në vendimin e Moskës për luftën në Ukrainë.
Bankieri miliarder Mikhail Fridman tha në një konferencë shtypi në Londër se lufta ishte një tragjedi për të dyja palët.
Por ai u ndal në kritikat e drejtpërdrejta, duke thënë se vërejtjet personale mund të jenë një rrezik jo vetëm për veten, por edhe për stafin dhe kolegët.
Ai i bashkohet një biznesmeni tjetër, Oleg Deripaska në thirrjet për paqe. Të dy ata janë oligarkët më të shquar që flasin kundër pushtimit rus, tani në ditën e gjashtë.
I lindur në Ukrainë para shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Fridman ishte themeluesi i bankës më të madhe private ruse, Alfa dhe drejton firmën e investimeve LetterOne, e cila ka interesa të gjera në naftë dhe shitje me pakicë.
Miliarderi tha se sanksionet, të cilat ngrijnë disa asete dhe vendosin një ndalim udhëtimi, ishin të pajustifikuara dhe ai do t'i kundërshtonte ato. Por, ai shtoi se sanksionet, në çdo rast, nuk do të kishin efektin e dëshiruar për të ndihmuar në frenimin e Kremlinit.
“Prindërit e mi gjithmonë më thoshin: ti e di, sepse je hebre, nuk mund të jesh në këtë pozicion apo në atë pozicion, në këtë universitet, apo në këtë punë. Tani, unë po përballem me të njëjtën situatë këtu në Perëndim, sepse jam rus”, deklaroi ai.