Peter Higgs, fizikani fitues i çmimit Nobel, i cili zbuloi një grimcë të re të njohur si Higgs boson, ka ndërruar jetë në moshë 94-vjeçare.
Higgs u nderua me çmimin Nobel për fizikën në vitin 2013 për punën e tij në vitin 1964 që tregonte sesi grimca e zbuluar prej tij ndihmon në lidhjen e universit duke i dhënë grimcave të tjera masën e tyre.
Pas një sërë eksperimentesh që filluan në vitin 2008, teoria e tij u vërtetua nga fizikanët që punonin në Përplasësin e Madh të Hadronit në Cern në Zvicër në vitin 2012. Çmimi Nobel ai e ndau me François Englert, një fizikan teorik belg, puna e të cilit në vitin 1964 gjithashtu kontribuoi drejtpërdrejt në zbulimin e madh.
Një anëtar i Shoqërisë Mbretërore dhe një Shoqërues Nderi, Higgs kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij profesionale në Universitetin e Edinburgut, e cila ngriti qendrën Higgs për fizikën teorike për nder të tij në 2012.
“Peter Higgs ishte një individ i jashtëzakonshëm – një shkencëtar vërtet i talentuar, vizioni dhe imagjinata e të cilit kanë pasuruar njohuritë tona për botën që na rrethon. Puna e tij pioniere ka motivuar mijëra shkencëtarë dhe trashëgimia e tij do të vazhdojë të frymëzojë shumë të tjerë për brezat që do të vijnë”, tha profesori dhe drejtori i universitetit Peter Mathieson.
Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave, e cila jep çmimin Nobel, tha në atë kohë modeli standard i fizikës që mbështet të kuptuarit shkencor të universit “bazohet në ekzistencën e një lloji të veçantë grimcash: grimca Higgs. Kjo grimcë e ka origjinën nga një fushë e padukshme që mbush të gjithë hapësirën”.
“Edhe kur universi duket bosh, kjo fushë është aty. Pa të, ne nuk do të ekzistonim, sepse është nga kontakti me fushën që grimcat fitojnë masë. Teoria e propozuar nga Englert dhe Higgs përshkruan këtë proces”.