Moska kërcënon me luftë bërthamore, Putin: Sanksionet po provokojnë krizë botërore

12 May 2022, 22:28Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Moska kërcënon me luftë bërthamore, Putin: Sanksionet po
Presidenti i Rusisë Vladimir Putin dhe Dmitry Medvedev

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin akuzoi Perëndimin se ka shkaktuar inflacionin e lartë që po trondit botën, duke shkaktuar rritjen në stratosferë të çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve bazë, duke thënë se rritja e çmimeve nuk ka ardhur për shkak të luftës, por për shkak të sanksioneve.

Në një fjalim të mbushur me kritika, Putin tha se Perëndimi veproi në mënyrë egoiste.

“Dua të theksoj se faji për këtë situatë është i elitave të vendeve perëndimore, që janë gati të sakrifikojnë pjesën tjetër të botës për të ruajtur dominimin global”, tha presidenti rus.

Putin shtoi se fobia ruse e vendeve të Perëndimit ka gjasa të dëmtojë interesat dhe ekonomitë e tyre dhe të përhapë urinë nëpër botë, teksa Rusia pret korrje rekord.

“Këtë vit presim korrje të mira. Ato të drithërave mund të arrijnë në 130 milionë tonelata, përfshirë 87 milionë tonë grurë. Nëse kjo ndodh, dhe ne jemi optimistë, atëherë do të jetë një rekord në gjithë historinë e Rusisë”, u shpreh Putini.

Ndërkohë që është rikthyer sërish retorika bërthamore nga Moska.

Nënkryetari i Këshillit të Sigurimit rus Dmitry Medvedev dha se furnizimi i Ukrainës me armë nga vendet e NATO-s, trajnimi i trupave të saj në përdorimin e pajisjeve perëndimore, vendosja e mercenarëve dhe mbajtja e stërvitjeve kufitare rrit mundësinë e një konflikti të hapur dhe të drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe NATO-s.

Sipas Medvedev, një konflikt i tillë gjithmonë ka rrezik të shndërrohet në një luftë totale bërthamore, e cila do të ishte një skenar katastrofik për të gjithë.

Nga ana tjetër, Bashkimi Europian dhe Japonia konfirmuan në Tokio unitetin kundër pushtimit rus të Ukrainës dhe u zotuan për të aplikuar sanksione të forta ndaj Rusisë. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, shprehu shqetësimin për aksin e bashkëpunimit ruso-kinez.

“Kjo na sjell tek Rusia, që sot është kërcënimi më direkt ndaj rendit botëror me luftën barbare ndaj Ukrainës, me lidhjet e saj me Kinën dhe thirrjeve dypalëshe për një marrëdhënie më arbitrare”, tha Ursula von der Leyen.

Japonia dhe Bashkimi Europian deklaruan se do të përforcojnë bashkëpunimin edhe përballë një Kine më agresive.



 


Video