Gjermania do ta bëjë sa më shpejt të mundur Bundeswehr-in, ushtrinë konvencionale më të fuqishme të Europës. Kështu deklaroi kancelari gjerman, Friedrich Merz, gjatë fjalës së tij në Konferencën për Sigurinë në Mynih, këtë të premte, 13 shkurt.
Por Merz, në ndërhyrjen e tij, tronditi Europën dhe riafirmoi besnikërinë ndaj vlerave të Perëndimit: “Rendi i vjetër botëror nuk ekziston më dhe është zëvendësuar nga një panoramë shumë më e pasigurt, e formësuar nga rivaliteti mes fuqive të mëdha dhe nga një vëmendje e re ndaj interesave kombëtare. Ka një çarje mes SHBA-ve dhe Europës. NATO nuk është më e sigurt dhe liria është në rrezik në epokën e fuqive të mëdha”.
Për të treguar se kjo distancë është zgjeruar, Merz iu drejtua një pike kyçe: “Zëvendëspresidenti Vance e tha shumë hapur një vit më parë këtu në Mynih. Kishte të drejtë. Lufta kulturore e lëvizjes Maga nuk është e jona. Liria e fjalës tek ne mbaron kur ajo drejtohet kundër dinjitetit njerëzor dhe Kushtetutës. Ne nuk besojmë në tarifat doganore dhe proteksionizëm, por në tregti të lirë. Qëndrojmë besnikë ndaj marrëveshjeve për klimën dhe ndaj OBSH-së, sepse jemi të bindur se vetëm së bashku mund të zgjidhim sfidat globale”.
Sipas kancelarit, ‘shprehja më e qartë’ e këtij realiteti të ri ka qenë lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Merz kritikoi gjithashtu Kinën, duke deklaruar se ekonomia e dytë më e madhe në botë “shfrytëzon sistematikisht varësitë e të tjerëve”.
“Po e reinterpreton rendin ndërkombëtar për ta përshtatur me qëllimet e saj”, tha ai duke iu referuar strategjisë së Pekinit. “Nëse ka pasur një moment unipolar pas rënies së Murit të Berlinit, ai tashmë është larg. Pretendimi për lidership i Shteteve të Bashkuara është vënë në pikëpyetje, ndoshta madje edhe i humbur”.