Qeveria e Giorgia Melonit pritet të tejkalojë rekordin e Silvio Berlusconit për jetëgjatësinë e një kabineti, por sondazhet paralajmërojnë një skenar më të fragmentuar pas zgjedhjeve të 2027.
Giorgia Meloni është pranë vendosjes së një rekordi të ri në politikën italiane, me qeverinë e saj që pritet të bëhet kabineti më jetëgjatë në Itali që prej Luftës së Dytë Botërore.
Qeveria e drejtuar nga Meloni do të kalojë rekordin prej 1,412 ditësh, të vendosur nga qeveria e Silvio Berlusconit në vitin 2005.
Meloni, e cila mori detyrën në tetor 2022, planifikon të zhvillojë më 4 shtator një tubim për të shënuar këtë arritje, duke e paraqitur qëndrueshmërinë e koalicionit si një nga sukseset kryesore të mandatit të saj.
Italia, e cila ka pasur 68 qeveri në 80 vite, ka treguar gjatë mandatit të Melonit një stabilitet më të madh politik se disa prej vendeve të tjera evropiane. Por ky stabilitet mund të vihet në pikëpyetje pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2027.
Sondazhet sugjerojnë se rezultati mund të prodhojë një parlament më të fragmentuar, duke e bërë më të vështirë krijimin e një shumice të qëndrueshme.
Sipas analistëve, një nga arritjet më të rëndësishme të qeverisë Meloni ka qenë përmirësimi i besimit të investitorëve te financat publike italiane. Qeveria ka ruajtur disiplinën buxhetore dhe ka kufizuar disa prej politikave të kushtueshme të qeverive të mëparshme, përfshirë skemën “Superbonus” për rikonstruksionin e banesave.
Në të njëjtën kohë, qeveria pretendon rezultate pozitive në tregun e punës. Sipas zëvendësministrit të Jashtëm Edmondo Cirielli, gjatë kësaj periudhe janë shtuar rreth 1.2 milionë vende pune, ndërsa papunësia ka zbritur nën 6%.
Megjithatë, ekonomistët vlerësojnë se progresi në reformat strukturore ka qenë më i kufizuar. Administrata publike, shërbimet shëndetësore dhe arsimi nuk kanë pësuar ndryshime të thella, ndërsa disa prej reformave institucionale të propozuara nga qeveria kanë mbetur pezull.
Një tjetër pikë ku Meloni ka kërkuar të përmbushë premtimet elektorale është emigracioni i parregullt. Numri i mbërritjeve të reja është ulur ndjeshëm, nga 157,651 në vitin 2023 në 66,316 vitin e kaluar, sipas të dhënave të cituara në raport.
Por pozita e Melonit është përballur edhe me disa goditje. Në planin e brendshëm, italianët rrëzuan në referendum reformën e saj kryesore në drejtësi, duke dëmtuar imazhin e koalicionit si politikisht të pathyeshëm.
Ndërkohë, në politikën e jashtme, marrëdhëniet e saj me presidentin amerikan Donald Trump janë përkeqësuar. Përplasja mes tyre erdhi pasi Trump e akuzoi Melonin për mungesë guximi dhe për zhgënjim të Shteteve të Bashkuara në luftën me Iranin.
Në prag të zgjedhjeve të ardhshme, një tjetër faktor po ndryshon ekuilibrat politikë në të djathtë. Roberto Vannacci, ish-gjeneral dhe drejtues i një force të re të ekstremit të djathtë, ka rritur ndjeshëm mbështetjen, duke shfrytëzuar shqetësimet mbi emigracionin, sigurinë dhe ndryshimet kulturore.
Një sondazh i BiDiMedia i publikuar më 26 gusht e vendoste mbështetjen për Vannaccin në 8%, ndërsa partitë e koalicionit qeverisës në 38.5%.
Rritja e tij mund ta detyrojë Melonin të zgjedhë mes përfshirjes së Vannaccit në aleancën konservatore ose kërkimit të një marrëveshjeje pas zgjedhjeve. Të dyja alternativat mbartin rreziqe politike.
Për këtë arsye, pavarësisht rekordit të ri që pritet të vendosë, rruga e Melonit drejt një tjetër qeverie të qëndrueshme duket më e vështirë.
“Tregjet e kanë pëlqyer stabilitetin dhe janë mësuar me të, por kjo është Italia, nuk do të zgjasë përgjithmonë,” tha ekonomisti Lorenzo Codogno.