
Meksika ka shpërbërë një njësi elitare kundër narkotikëve, që për një çerek shekulli ka punuar krah për krah me Administratën Amerikane të Zbatimit të Drogës (DEA) për të luftuar krimin e organizuar, thanë dy burime për Reuters.
Vendimi cilësohet një goditje të madhe për bashkëpunimin në fushën e sigurisë mes SHBA dhe Meksikës.
Grupi elitar ishte një nga Njësitë e Ndjeshme të Hetimit (SIU) që vepronte në rreth 15 vende, të cilat zyrtarët e SHBA-së i cilësojnë si të paçmueshme në çmontimin e unazave të fuqishme të kontrabandës dhe shkatërrimin e bosëve të panumërt të drogës në mbarë globin. Njësitë trajnohen nga DEA, por janë nën kontrollin e qeverive kombëtare.
Në Meksikë, mbi 50 oficerët në njësinë e policisë SIU u konsideruan si shumë nga më të mirët e vendit dhe punuan në rastet më të mëdha si kapja e vitit 2016 e Joaquin "El Chapo" Guzman, atëherë bosi i kartelit të fuqishëm Sinaloa.
Mbyllja kërcënon të rrezikojë përpjekjet e SHBA-së për të luftuar grupet e krimit të organizuar brenda Meksikës, një nga epiqendrat e tregtisë globale të narkotikëve me shumë miliarda dollarë dhe ta bëjë më të vështirë kapjen dhe ndjekjen penale të drejtuesve të kartelit.
Qeveria e Presidentit Andres Manuel Lopez Obrador njoftoi zyrtarisht DEA-n në prill të vitit të kaluar se njësia ishte mbyllur, sipas një agjenti të DEA-së me njohuri për këtë çështje.