Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu deklaroi sot se SHBA dhe vendet e tjera perëndimore “po bëjnë gjithçka për të zvarritur operacionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë”.
Shoigu, 66 vjeç, u shfaq në kanalin televiziv shtetëror të Rusisë Rossiya 24. Ai po fliste në një bord këshillues me zyrtarët më të lartë ushtarakë të vendit në Moskë.
BBC shkruan se nuk është e qartë nëse takimi është transmetuar drejtpërdrejt apo i regjistruar paraprakisht.
Nëse konfirmohet, kjo do të ishte dalja e parë publike e Shoigut brenda disa ditësh, mes zërave se mund të ketë probleme shëndetësore.
“Ushtria ruse po përmbush detyrat e vendosura nga komandanti i përgjithshëm në sajë të operacionit special ushtarak. Plani për çlirimin e Republikave Popullore të Donetsk dhe Luhansk po zbatohet në mënyrë konsistente dhe po merren masa për të vendosur një jetë paqësore”, tha ndër të tjera Sergej Shoigu.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet perëndimore të kontrolluara nga ata po vazhdojnë të bëjnë gjithçka për të dëmtuar operacionin special ushtarak sa më shumë të munden. Zhurma në rritje e furnizimeve me armë të huaja qartësisht tregon synimet e tyre për të bërë që regjimi i Kievit të luftojë deri në ukrainasin e fundit”, shtoi Shoigu gjatë mbledhjes.
Ministri rus i Mbrojtjes është përfolur për një gjendje shëndetësore jo të mirë, që për opozitarët e Putin ishte e shkaktuar nga stresi për fillimin dështak të fushatës ukrainase, që sipas tyre kishte ftohur marrëdhëniet me mikun e tij Vladimir Putin.
Ndërsa, ministri i Jashtëm Sergei Lavrov tha po gjatë ditës së sotme se Rusia nuk do të përdorë armë bërthamore në Ukrainë.
Lavrov tha gjithashtu se me ofensivën ruse të fokusuar tani në lindje të Ukrainës, lufta po hyn në një fazë të re.