Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, i cili më herët ishte zotuar se do të arrestonte Benjamin Netanyahun nëse ai do të vizitonte qytetin, tashmë thotë se nuk ka autoritetin ligjor për ta bërë një gjë të tillë.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Mamdani u bëri thirrje autoriteteve federale amerikane të veprojnë në përputhje me urdhër-arrestin e lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) ndaj kryeministrit izraelit për krime të dyshuara lufte.
Në aspektin ligjor, nëse Netanyahu do të udhëtonte në një shtet anëtar të ICC-së, ai mund të arrestohej dhe t’i dorëzohej gjykatës. Shtetet e Bashkuara nuk janë anëtare të ICC-së.
Presidenti Donald Trump deklaroi se Netanyahu nuk do të “arrestohet në asnjë mënyrë” gjatë qëndrimit të tij në SHBA-të.
“Ai po lufton kundër Republikës Islamike të Iranit, e cila së fundmi vrau 52 mijë protestues të pafajshëm dhe gjatë 47 viteve të fundit ka vrarë ushtarë amerikanë dhe të tjerë”, shkroi Trump në platformën Truth Social të hënën.
Trump reagoi ndaj komenteve që Mamdani kishte bërë në një intervistë për The New York Times, ku tha se ishte në “bisedime aktive” me autoritetet ligjzbatuese për mundësinë e zbatimit të urdhër-arrestit të ICC-së.
Por të martën, Mamdani deklaroi se ekipi i tij kishte shqyrtuar çdo mundësi ligjore dhe kishte arritur në përfundimin se bashkia nuk ka autoritet të pavarur për të zbatuar një urdhër të tillë.
“Qeveria federale, megjithatë, e ka këtë kompetencë. U bëj thirrje që t’i bashkohet ICC-së dhe të zbatojë këtë urdhër-arrest”, tha ai.
Në videon e publikuar në rrjetet sociale, Mamdani shtoi se Netanyahu “nuk është i mirëpritur” në qytetin e Nju Jorkut, ku pritet të marrë pjesë në muajin shtator në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi në vitin 2024 një urdhër-arrest ndaj Netanyahut për krime të dyshuara lufte në Gaza. Njëkohësisht, ICC lëshoi urdhër-arrest edhe ndaj një komandanti të Hamasit.
ICC ka kompetencë të ndjekë penalisht persona të akuzuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, kur këto kryhen në territorin e shteteve që janë palë në Statutin e Romës, traktatin themelues të gjykatës.
Gjatë fushatës për kryetar të bashkisë së Nju Jorkut, Mamdani e kishte cilësuar vazhdimisht Netanyahun si “kriminel lufte”, ndërsa luftën në Gaza si “gjenocid”. Ai kishte deklaruar gjithashtu se do të urdhëronte policinë ta arrestonte Netanyahun nëse ai do të mbërrinte në qytet.
Në atë kohë, ai ishte shprehur për The New York Times se “Kjo është diçka që kam ndërmend ta realizoj”, duke shtuar se një arrestim i tillë do të ishte zbatim i urdhër-arrestit të lëshuar nga ICC.
Pas intervistës së Mamdanit, ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, reagoi duke i thënë se “Ju jeni zgjedhur për t’u shërbyer qytetarëve të Nju Jorkut, jo propagandës së Hamasit.”