
Lufta në Ukrainë ka hyrë në një fazë të re të goditjeve të ndërsjella me rreze të gjatë, ku si Moska ashtu edhe Kievi kanë shënjestruar infrastrukturën kritike dhe logjistike të tjetrit. Rusia ka ndërmarrë një nga sulmet më masive me raketa balistike dhe dronë që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë në vitin 2022, duke vrarë të paktën tetë persona. Nga ana tjetër, Ukraina u është përgjigjur flakë për flakë forcave ruse, duke goditur cisternat e naftës në Detin e Zi dhe depot më të mëdha të tregtisë online në periferi të Moskës.
Masakra e radhës ndaj qyteteve ukrainase
Bastisja e fundit ruse ka përfshirë një gamë të gjerë sistemesh të avancuara të armatimit, duke përdorur raketa balistike Iskander, raketa hipersonike Zircon dhe mbi 125 dronë. Goditjet u shtrinë në disa rajone, duke lënë pas shkatërrim dhe viktima në radhët e civilëve.
Sipas zyrtarëve ukrainas, bilanci i sulmeve ruse rezulton tragjik. Në Kharkiv katër burra të moshës midis 24 dhe 62 vjeç mbetën të vrarë nga goditja e një terminali postar në periferi të qytetit.
Në Kiev një grua e moshuar humbi jetën, ndërsa u dëmtuan supermarkete, konvikte dhe një qendër e madhe logjistike në Bucha. Mbrojtja ajrore rrëzoi vetëm 18 nga 41 raketa dhe kapi 108 dronë.
Zaporizhzhia dhe Sumy u regjistruan respektivisht dy dhe një viktimë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky reagoi ashpër në Telegram, duke specifikuar se vetëm brenda një jave Rusia kishte përdorur rreth 1,450 dronë sulmues, mbi 1,640 bomba të drejtuara dhe 99 raketa të llojeve të ndryshme kundër Ukrainës.
Përgjigjja e Kievit, goditen cisternat në Detin e Zi dhe depot e “Amazonit” rus
Në kundërpërgjigje të këtyre sulmeve, javët e fundit Ukraina ka intensifikuar ndjeshëm operacionet e saj brenda territorit rus. Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU) dhe Forcat e Armatosura koordinuan një sulm ndaj infrastrukturës ruse të karburanteve në rajonin jugor të Stavropolit, duke goditur tre depo nafte.
Më strategjikja ishte goditja në Detin e Zi, ku forcat ukrainase arritën të dëmtonin tre anije cisternë të të ashtuquajturës “flotë në hije” të Rusisë, duke detyruar pezullimin e përkohshëm të operacioneve të ngarkimit në terminalin e Konsorciumit të Tubacionit Kaspik në Novorossiysk.
“Falënderoj secilën prej njësive tona që po ndihmon në përhapjen e vetëdijes brenda Rusisë se kjo luftë duhet të marrë fund,” deklaroi Zelensky, duke theksuar se këto objekte shërbejnë direkt për të financuar agresionin rus.
Paralelisht, dronët ukrainas shkaktuan zjarre të përmasave të mëdha në dy depo gjigante të kompanisë Wildberries (e konsideruar si ekuivalenti rus i kompanisë Amazon, me një vlerë tregtare prej 12.6 miliardë dollarësh në vitin 2026). Sulmi në qytetin e Tambovit la pas 7 të vdekur dhe 25 të plagosur, ndërsa një tjetër viktimë dhe 37 të plagosur u regjistruan në depon e Elektrostal-it, pranë Moskës.
Alarmi i Ukrainës për raketat balistike
Këto zhvillime vijnë në një kohë kur Kievi raporton se ka arritur të “çaktivizojë” afro 43% të kapacitetit të rafinimit të naftës të Rusisë përmes sulmeve të njëpasnjëshme me dronë. Megjithatë, përballë hakmarrjes ruse me raketa të rënda hipersonike dhe balistike, Zelensky u ka bërë një thirrje urgjente aleatëve evropianë për furnizime të reja:
“Mbrojtja kundër raketave balistike është përparësia jonë e vazhdueshme dhe kryesore tani. Interceptorët nevojiten çdo ditë.”