Lufta e Albright: Kosova, krenaria ime

23 March 2022, 21:12Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Lufta e Albright: Kosova, krenaria ime

“Gjëja që ndjehem më shumë krenare në punën time është Kosova”. Këto ishin fjalët që Madeleine Albright përsëriste shpesh në intervistat televizive që dha pas lënies së detyrës si Sekretare e Shtetit.

“Përpjekja më e dukshme e saj ishte që t’i japë fund dhunës në Ballkan dhe ajo ishte vendimtare në nxitjen e Presidentit amerikan, Bill Clintonit që të ndërhynte në Kosovë në vitin 1999 për të parandaluar një gjenocid kundër shqiptarëve”, shkruan tashmë CNN.

Termi “spastrim etnik” u bë sinonim i Bosnjës, ku forcat serbe besnike të Millosheviçit u përpoqën të krijonin një shtet të veçantë duke dëbuar popullsinë civile jo-serbe. Administrata e Clintonit nuk ndërhyri deri në masakrën në Srebrenicës në vitin 1995, kur serbët vranë 8,000 burra dhe djem myslimanë, gjë që çoi në Planin e Paqes të Dejtonit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja.

“Por kur Millosheviçi më pas u përpoq të zhvendoste planin etno-nacionalist në Kosovë, administrata e Clintonit mblodhi një koalicion për ta ndaluar atë që ndodhi në Bosnjë”, shkruan CNN.

Për të kuptuar se sa peshë pati roli i saj në sulmet ndaj Serbisë, mjafton të kujtojmë kritikat e asaj kohe, kur kundërshtarët e ndërhyrjes e quanin “Lufta e Albright”, ndërsa të tjerë e akuzonin se po mbivlerësonte Millosheviçin.

“Unë marr përgjegjësinë e plotë së bashku me kolegët e mi për të besuar se ishte thelbësore për ne që të mos qëndronim dhe të shikonim atë që Millosheviçi po planifikonte të bënte. Ne nuk mund të shikojmë krimet kundër njerëzimit”, u përgjigjej ajo.


Video