Kushtetuesja në Kosovë merr vendim: Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditëve

26 June 2025, 19:49Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kushtetuesja në Kosovë merr vendim: Kuvendi të konstituohet
Kushtetuesja “ultimatum”: Kuvendi i Kosovës të konstituohet brenda 30 ditëve

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që deputetët e Kuvendit duhet të përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditëve, duke zgjedhur kryetarin dhe pesë nënkryetarët.

Seanca konstituive e përbërjes së re parlamentare, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, ka nisur më 15 prill, por deri më tani janë zhvilluar 37 seanca pa arritur zgjedhjen e udhëheqjes së Kuvendit.

Kërkesa për interpretim kushtetues u paraqit nga deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe disa deputetë të tjerë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.

Gjykata konstatoi se mungesa e zgjedhjes së kryesisë së Kuvendit përbën shkelje të nenit 66 të Kushtetutës dhe se çdo veprim tjetër i ndërmarrë gjatë kësaj periudhe nuk ka legjitimitet kushtetues.

Zvarritja e konstituimit të Kuvendit ka ardhur si pasojë e mospajtimeve politike, veçanërisht rreth mënyrës së votimit për kryetarin e Kuvendit, nëse duhet të jetë votim i hapur apo i fshehtë.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare, por ajo nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme në disa raunde votimi. Kjo ka çuar në tensione mes partive dhe në bllokim institucional.


Video