Kriza e emigrantëve në Ceuta, Italia mbyll kufijtë ajrorë dhe detarë me Spanjën

31 July 2026, 19:32Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kriza e emigrantëve në Ceuta, Italia mbyll kufijtë ajrorë
Kriza e emigrantëve në Ceuta

Italia ka vendosur të mbyllë kufijtë ajrorë dhe detarë me Spanjën, në përgjigje të krizës së emigrantëve që ka shpërthyer në Ceuta dhe shqetësimeve për sigurinë e kufijve të zonës Schengen.

Vendimi është marrë nga Ministria e Brendshme italiane, pas analizës së situatës në Komitetin për Analizën e Emigracionit dhe Sigurisë së Kufijve, mbledhje e drejtuar nga ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi.

Paralelisht, Piantedosi zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij francez, Laurent Nuñez, gjatë së cilës u ra dakord për forcimin e kontrolleve në kufirin tokësor mes Italisë dhe Francës, në kuadër të marrëveshjeve ekzistuese të bashkëpunimit mes forcave policore të dy vendeve.

Ministri i Jashtëm italian dhe njëherazi zëvendëskryeministër, Antonio Tajani, ka mbrojtur vendimin e Italisë për pezullimin e përkohshëm të Schengenit me Spanjën, duke e cilësuar atë një masë të nevojshme për garantimin e sigurisë.

Në një reagim në rrjetin social X, Tajani deklaroi se "pezullimi i përkohshëm i Schengenit me Spanjën është një zgjedhje e domosdoshme për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve tanë dhe për të mbrojtur kufijtë evropianë."

Sipas tij, kriza migratore në Ceuta tregon se mbrojtja e kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian është përgjegjësi e përbashkët e të gjitha vendeve anëtare.

"Duhet të punojmë së bashku për të parandaluar hyrjen e flukseve të pakontrolluara të emigrantëve në territorin e Bashkimit Evropian, me të gjitha rreziqet që kjo sjell, përfshirë kërcënimin e terrorizmit, i cili duhet të luftohet pa asnjë hezitim", u shpreh Tajani.


Video