
Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një seri sulmesh ajrore ndaj dhjetëra objektivave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, në përgjigje të një tentative të Teheranit për të goditur me raketa balistike bazat amerikane në Jordani dhe anijet që lundrojnë në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), operacioni zgjati rreth një orë dhe kishte në shënjestër qendra komanduese ushtarake, baza raketore dhe të dronëve, sisteme të mbikëqyrjes bregdetare, si dhe objekte të kapaciteteve detare iraniane.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Uashingtoni do t’i përgjigjej me vendosmëri çdo sulmi iranian.
“Do t’i godasim shumë fort, sepse tani është radha jonë. Ata e dinë se kjo po vinte dhe na kërkuan të mos e bënim”, u shpreh Trump para gazetarëve.
Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Iraniane njoftoi se kishte shënjestruar një bazë ajrore amerikane dhe një qendër komanduese në Jordani, duke e cilësuar veprimin si kundërpërgjigje ndaj “akteve agresive” të ushtrisë amerikane. Ajo pretendoi gjithashtu se kishte goditur tre cisterna nafte në Ngushticën e Hormuzit.
Përshkallëzimi i tensioneve vjen vetëm një ditë pas sulmeve të përbashkëta të SHBA-së dhe Arabisë Saudite ndaj grupeve të mbështetura nga Irani në Irak. Sipas autoriteteve amerikane, operacionet u ndërmorën si përgjigje ndaj mbi 30 sulmeve me dronë të lidhur me Iranin gjatë 72 orëve të fundit.
Forcat e Mobilizimit Popullor në Irak, të dominuara nga milici shiite të mbështetura nga Teherani, deklaruan se të paktën 20 luftëtarë të tyre humbën jetën gjatë bombardimeve. Ndërkohë, Presidenca irakiane i dënoi sulmet, duke i cilësuar si shkelje të sovranitetit të vendit. Presidenti Trump, në të kundërt, deklaroi se operacionet ishin koordinuar me qeverinë irakiane.
Në të njëjtën kohë, ministri saudit i Mbrojtjes, Princi Khalid bin Salman, i ka përcjellë presidentit amerikan dëshirën e Riadit për uljen e tensioneve në rajon. Konflikti, që ka hyrë në muajin e pestë, vijon të mbetet pa një zgjidhje diplomatike, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për negociata.