Është identifikuar autori i sulmit të rëndë në New Orleans të SHBA-së, që la të vdekur 10 persona dhe të plagosur 30 të tjerë, të cilët po festonin ndërrimin e viteve në një prej rrugëve të populluara të qytetit.
Ai është 42-vjeçari Shamsud-Din Jabbar, lindur dhe rritur në Beaumont të Teksasit, një veteran i ushtrisë amerikane dhe agjent i shit-blerjes së pronave, sipas kanalit që kishte në YouTube.
Ai ishte veshur me uniformë ushtarake kur me një makinë elektrike "Ford" përplasi dhjetra qytetarë dhe më pas nisi të qëllojë me armë zjarri. Nuk përjashtohen dyshimet që ai të jetë radikalizuar në SHBA.
Në makinë ai dyshohet se kishte edhe lëndë eksplozive artizanale si dhe një flamur të zi të ngjashëm me atë të Shtetit Islamik, për aq sa mund të dallohet nga fotografitë e shpërndara në rrjetet sociale. Ai u vra nga policia në vendngjarje.