Atentati ndaj biznesmenit ukrainas që tronditi Monakon, identifikohet autorja

3 July 2026, 17:52Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Atentati ndaj biznesmenit ukrainas që tronditi Monakon, identifikohet

Interpoli ka identifikuar një grua ukrainase si të dyshuarën kryesore për sulmin me bombë me pako në Monako, ku mbetën të plagosur rëndë një biznesmen i sanksionuar nga Ukraina dhe dy persona të tjerë.

Bëhet fjalë për Anastasiia Berezovska, 39 vjeç, për të cilën është lëshuar një “Red Notice” nga Interpol. Ajo kërkohet për tentativë vrasjeje, vendosje të një mjeti shpërthyes në një vend publik dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Sipas autoriteteve, pak para orës 21:00 të së hënës, një person la një pako në hyrje të një godine banimi në Monako. Pak çaste më vonë ndodhi shpërthimi, pikërisht në momentin kur tre banorë – një çift dhe djali i tyre 13-vjeçar – po hynin në ndërtesë.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë të dyshuarën me një kapele të errët, e cila largohet menjëherë pas vendosjes së pakos në drejtim të komunës franceze Beausoleil.

Ndërkohë, policia gjermane zhvilloi kontrolle në banesën me qira të një 39-vjeçareje ukrainase në rajonin Main-Taunus të landit të Hessenit.

Gjatë operacionit u sekuestrua edhe automjeti që ajo dyshohet se përdorte, ndërsa provat e mbledhura do t’u dorëzohen autoriteteve të Monakos. Megjithatë, e dyshuara mbetet në arrati.

Princi Albert II i Monakos e ka cilësuar ngjarjen si një “krim të neveritshëm”.

Megjithëse autoritetet nuk kanë konfirmuar identitetin e viktimave, mediat lokale raportojnë se objektiv i sulmit ishte biznesmeni Vadym Yermolaiev, partnerja e tij dhe djali i tyre.

Yermolaiev, 58 vjeç, është një zhvillues i pasurive të paluajtshme me banim në Monako. Ai hoqi dorë nga shtetësia ukrainase në vitin 2019 dhe mori shtetësinë qipriote.

Biznesmeni ka interesa të mëdha në sektorin e verës dhe alkoolit në Krimenë e aneksuar nga Rusia dhe që prej vitit 2023 ndodhet nën sanksionet e vendosura nga qeveria ukrainase.

Sipas revistës Forbes, në vitin 2020 ai renditej si personi i 39-të më i pasur në Ukrainë, me një pasuri të vlerësuar në rreth 230 milionë dollarë.


Video