Hamasi liron dy pengje, familjarët: Shpresojmë që ky të jetë vetëm fillimi (VIDEO)

23 October 2023, 23:19Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Hamasi liron dy pengje, familjarët: Shpresojmë që ky të
Nurit Cooper dhe Yohved Lefsic

Hamasi njoftoi mbrëmjen e sotme lirimin e dy pengjeve gra të tjera, të cilat u rrëmbyen gjatë sulmit të 7 tetorit në tokën izraelite dhe që atëherë mbahen peng në Rripin e Gazës.

Sipas kanalit izraelit Channel 12, ato janë 79-vjeçarja Nurit Cooper dhe 85-vjeçarja Yohved Lefsic, të cilat u rrëmbyen nga kibuci Nir Oz, ndërsa bashkëshortët e tyre mbeten peng.

Kanali egjiptian AlQahera News publikoi pamjet e lirimit të tyre ndërsa dy gratë ishin në ambulanca në pikën kufitare Rafah.

Në të njëjtën kohë, agjencia egjiptiane e lajmeve nënvizoi se “përpjekjet diplomatike të Egjiptit për lirimin e dy grave” të mbajtura peng në Rripin e Gazës u finalizuan me sukses.

Daniel Lefsic, nipi i Johved Lefsic, theksoi se ai dhe familja e tij janë të emocionuar dhe të lumtur që gjyshja e tij po kthehet.

“Thjesht shpresojmë që ajo të jetë mirë, shëndeti i saj është i mirë dhe po presim ta shohim”, ka theksuar ai, me një buzëqeshje të madhe në fytyrë.

“Shpresojmë që ky të jetë vetëm fillimi për lirimin e të gjithë pengjeve”, shtoi ai.

Abu Ubaydah, një zëdhënës i krahut të armatosur të Hamasit, tha më herët se lirimi i dy pengjeve u vendos për arsye humanitare dhe mjekësore, falë ndërmjetësimit të Katarit dhe Egjiptit. “Armiku kishte refuzuar t’i pranonte të premten e kaluar”, pohoi Abu Ubaidah, duke përsëritur një pretendim që Izraeli e kishte hedhur poshtë si “propagandë të rreme”.

Nga ana e tij, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq theksoi në një deklaratë se “lehtësoi lirimin e dy pengjeve të tjerë duke i transportuar ata jashtë Gazës këtë mbrëmje”.


Video