Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëron Rusinë të ndalë pushtimin e Ukrainës

16 March 2022, 17:17Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëron Rusinë

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëroi Rusinë të pezullojë menjëherë aksionin e saj ushtarak në Ukrainë. Megjithëse vendimet e GJND-së janë të detyrueshme, nuk dihet nëse Moska do ta respektojë këtë vendim.

Gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ), vendosi të mërkurën mbi një kërkesë urgjente të Ukrainës që Rusia të ndalojë pushtimin e saj.

Me 13 vota pro dhe 2 vota kundër, Federata Ruse duhet të pezullojë menjëherë operacionet ushtarake që filluan më 24 shkurt, thuhet në vendim.

Vendimi i gjykatës është vendimi i parë i tillë i dhënë nga një gjykatë ndërkombëtare që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Kievi akuzon Moskën për përpjekje të paligjshme për të justifikuar luftën duke pretenduar në mënyrë të rreme gjenocid në rajonet Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës lindore.

Përfaqësuesi i Ukrainës, Anton Korynevych kërkoi të detyronte GJND-në që të urdhëronte Rusinë që “të pezullonte menjëherë operacionet ushtarake”.

“Rusia duhet të ndalet dhe gjykata ka një rol për të luajtur,” tha përfaqësuesi i Ukrainës Anton Korynevych në gjykatë, e cila është me seli në Hagë.

Rusia i bojkotoi seancat e GJND-së në fillim të këtij muaji.

Në një dosje me shkrim, Moska argumentoi se gjykata “nuk kishte juridiksion” sepse kërkesa e Ukrainës binte jashtë fushëveprimit të Konventës së Gjenocidit të OKB-së të vitit 1948, mbi të cilën ajo bazoi çështjen e saj.

Rusia vazhdoi duke thënë se “po vepronte në vetëmbrojtje” për të justifikuar pushtimin e saj në Ukrainë.

Ukraina tha se Konventa e Gjenocidit, të cilën të dy vendet e kanë nënshkruar, nuk lejon një pushtim për të parandaluar një gjenocid. Nuk ka asnjë provë se Ukraina ka kryer apo planifikuar sulme që mund të konsiderohen si krime kundër njerëzimit.

Prej 21 ditësh tashmë, Rusia ka futur trupat e saj në Ukrainë. Moska e quan “operacion special” për çarmatosjen dhe denazifikimin e vendit fqinj, por pushtimi është dënuar nga e gjithë bota perëndimore dhe ndaj saj janë vendosur sanksione të rënda.

Ndërkohë që luftimet vazhdojnë, palët janë ulur edhe në tavolinën e negociatave dhe gjatë të mërkurës janë shtuar zërat për arritjen e një dakordësie paraprake të paktën për neutralitetin e Ukrainës.


Video