Gjykata ndalon përkohësisht ndërtimin e sallës së ballove në Shtëpinë e Bardhë. Reagon Trump

1 April 2026, 00:04Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gjykata ndalon përkohësisht ndërtimin e sallës së
Ndërtimi i sallës së ballove në Shtëpinë e Bardhë

Gjykata ndalon përkohësisht ndërtimi i sallës së ballove në Shtëpinë e Bardhë. Reagon Trump

Një gjykatës amerikan ka ndaluar përkohësisht projektin e ndërtimit të sallës së madhe të ballove, të presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, pasi procedurat e duhura nuk ishin ndjekur para se të fillonte projekti.

Vendimi erdhi pasi Shtëpia e Bardhë u padit nga National Trust for Historic Preservation.

“Kam arritur në përfundimin se National Trust ka gjasa të fitojë çështjen, sepse asnjë ligj nuk i jep presidentit autoritetin që ai pretendon se ka,” tha gjykatësi Richard Leon, citon BBC.

Trump e kritikoi vendimin në rrjetin e tij social, duke thënë se projekti po ecën mirë dhe “do të jetë ndërtesa më e mirë e llojit të saj kudo në botë”.

Administrata Trump kishte thënë më parë se plani i saj ishte më ekonomik sesa rinovimi i Krahut Lindor, duke theksuar se shumë presidentë kishin bërë ndryshime në Shtëpinë e Bardhë.

Në vendimin e gjyqtarit, të publikuar këtë të martë thuhej: “Presidenti i Shteteve të Bashkuara është kujdestar i Shtëpisë së Bardhë për brezat e ardhshëm të Familjeve të Para. Ai nuk është, megjithatë, pronari!”

“Derisa Kongresi ta miratojë këtë projekt përmes autorizimit ligjor, ndërtimi duhet të ndalet!” thuhej më tej.

Vendimi hyn në fuqi pas 14 ditësh, duke lënë hapësirë për një apel të mundshëm.

Në padi, grupi i ruajtjes së trashëgimisë argumentoi se Shtëpia e Bardhë ka shkelur ligjin duke filluar ndërtimin pa dorëzuar planet në National Capital Planning Commission, pa kërkuar një vlerësim mjedisor dhe pa marrë autorizim nga Kongresi.

Gjithashtu u pretendua se Trump po shkelte Kushtetutën e SHBA-ve “e cila i rezervon Kongresit të drejtën për të vendosur rregulla mbi pronën që i përket Shteteve të Bashkuara”.

Krahu Lindor, i ndërtuar në vitin 1902, u shemb në tetor për t’i lënë vend sallës së madhe shumë-milionëshe të Trump, e cila sipas tij po financohet nga donatorë privatë.

Që atëherë, plani është zgjeruar nga një sallë me kapacitet 500 persona në një hapësirë që mund të strehojë 1 mijë e 350 të ftuar.

Shtëpia e Bardhë thotë se projekti pritet të kushtojë 400 milionë dollarë dhe po financohet tërësisht nga donatorë privatë.

Duke reaguar ndaj vendimit, Trump shkroi në Truth Social: “National Trust for Historic Preservation më padit për një sallë që është nën buxhet, përpara afatit, po ndërtohet pa asnjë kosto për taksapaguesit, dhe do të jetë ndërtesa më e mirë e llojit të saj kudo në botë.”

Në postimin e tij, Trump shtoi: “Nuk ka shumë kuptim, apo jo?”


Video