Gjykata e Lartë e SHBA kufizon ndalimet e gjyqtarëve që pengonin planin e Trump për ndalimin e të drejtës së shtetësisë në lindje

27 June 2025, 18:23Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gjykata e Lartë e SHBA kufizon ndalimet e gjyqtarëve që pengonin
Nje grua duke protestuar kunder planit te Trump

Administrata e Trump-it tani mund të ndërmarrë hapa për të zbatuar propozimin që synon t’i japë fund të drejtës automatike për shtetësi amerikane për këdo që lind në territorin e SHBA-ve, e njohur ndryshe si birthright citizenship (e drejta e shtetësisë që në lindje).

Në ditën e parë të rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për ta shfuqizuar këtë të drejtë, e cila prej kohësh ka qenë e garantuar nga Kushtetuta. Urdhri u përball menjëherë me një sërë padish në gjykatat federale, ku gjyqtarë të ndryshëm vendosën ndalime kombëtare për të mos lejuar zbatimin e tij.

Por të premten, Gjykata Supreme votoi me rezultatin 6 me 3 në favor të kufizimit të këtyre ndalimeve gjyqësore, duke vendosur që ato të aplikohen vetëm në shtetet, grupet apo individët që kanë ngritur padi dhe jo në të gjithë vendin.

Ky vendim i hap rrugën zbatimit të pjesshëm të propozimit të administratës së Trump-it në disa shtete, përfshirë ato që nuk e kanë kundërshtuar zyrtarisht politikën.

Rasti që shqyrtoi Gjykata Supreme përfshinte paditë e ngritura në shtetet Maryland, Massachusetts dhe Washington. Megjithatë, politika mbetet e bllokuar në shtetin e New Hampshire përmes një procesi gjyqësor të veçantë që nuk ishte pjesë e kësaj çështjeje.

Vendimi i Gjykatës nuk merr në shqyrtim nëse politika është apo jo në përputhje me Kushtetutën, por fokusohet vetëm në kompetencën e gjyqtarëve për të vendosur ndalime me efekt në të gjithë vendin.

Pas këtij vendimi, propozimi i Trump mund të ecë përpara në nivel kombëtar, por individët apo grupet mund të vazhdojnë të hapin procese të reja në nivelet shtetërore. Gjithashtu, gjyqtarët mund të vendosin ndalime të reja me fushë më të ngushtë.

Plani i Trump-it për të reformuar dhënien e shtetësisë ka mbështetjen e 21 shteteve të tjera.

Administrata e tij ka pasur shpesh përplasje me gjyqtarët federalë që kanë ndalur politikat e saj, veçanërisht për përdorimin agresiv të urdhrave ekzekutivë në çështje si dëbimet masive, reformimi i agjencive federale, kufizimi i universiteteve dhe firmave ligjore, si dhe shkarkimi i mijëra punonjësve shtetërorë.


Video