Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID) që shpërndan miliardë dollarë ndihmë monetare në gjithë botën, mund të jetë drejt mbylljes.
Njeriu më i pasur i botës, Elon Musk, që është i angazhuar për të reduktuar kostot e shpenzimeve federale amerikane, thotë se Presidenti Donald Trump ka pranuar mbylljen e USAID.
Sipas tij, Trump ka nënshkruar mbylljen e agjencisë.
“Përsa i përket çështjeve të USAID-it, e diskutova me Presidentin në detaje dhe ai ra dakord që duhet ta mbyllim”, tha Elon Musk.
Selia e USAID në Uashington, gjatë ditës së sotme ishte e mbyllur, teksa punonjësit ishin njoftuar me email që të qëndronin në shtëpi dhe të mos paraqiteshin në punë.
Megjithatë presidenti Trump ende nuk e ka vulosur mbylljen përfundimtare, por sulmoi drejtuesit duke thënë se janë nga e majta radikale.
“Është udhëhequr nga një tufë lunatikësh radikalë dhe ne po i heqim ata. USAID është drejtuar nga lunatikët radikalë dhe ne po i heqim ata nga puna. Më pas do të marrim një vendim”, tha Trump.
Një ditë më parë, Elon Musk e konsideroi organizatë kriminale USAID-in, përmes një postimi që bëri në rrjetin social X.
Përplasja erdhi pasi përfaqësues të Departamentit amerikan Doge që drejtohet nga Elon Musk për të reduktuar shpenzimet qeveritare, nuk u lejuan të hyjnë në godinën e USAID.
Dy punonjës të lartë të kësaj agjencia u pushuan më pas nga detyra me urdhër të administratës Trump.
Ligjvënësit demokratë kanë protestuar ndaj këtyre masave, duke thënë se Presidentit Trump i mungon autoriteti kushtetues për ta mbyllur USAID-in pa miratimin e Kongresit dhe duke kritikuar qasjen e Musk tek informacionet e klasifikuara të qeverisë, nëpërmjet inspektimeve të autorizuara nga Presidenti Trump të agjencive dhe programeve të qeverisë federale.
Aktualisht, fondet e USAID janë ndërprerë në të gjithë botën, përfshirë edhe Shqipërinë, përmes së cilës merrnin fonde një sërë institucionesh shtetërore.
Sinjalet për mbylljen e mundshme të agjencisë humanitare amerikane nisën të shfaqeshin që prej javës së kaluar, me heqjen e shumë publikimeve për punën e USAID-it përreth botës.
Një gjë e tillë ka ndodhur edhe në uebsajtin e Ambasadës Amerikane në Shqipëri, ku tashmë është fshirë e gjithë përmbajtja lidhur me USAID-in.