Ekskluzive: Alarmi për bombë te SPAK erdhi nga kompanitë Call Center

8 November 2022, 15:21Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ekskluzive: Alarmi për bombë te SPAK erdhi nga kompanitë Call
Policia brenda ambienteve te Call Center ne Elbasan

SPAK, policia shqiptare dhe policia spanjolle janë duke bërë një aksion në tre qytete të vendit për luftuar mashtrimin nëpërmjet telefonatave në Call Center-at që operojnë në Shqipëri.

Operacioni është ende në vijim në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë ku deri tani po kryhen kontrolle në kompani Call Center që dyshohet se ushtrojnë aktivitetin e paligjshëm.

Një Call Center në Elbasan, i dyshuar për mashtrime të shtetasve të huaj në shuma të mëdha, është vënë sot nën kontrollin e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me policinë spanjolle.

Për rreth 2 orë policia ka kontrolluar ambientet e Call Center ndërsa ka ndaluar 2 persona, tre të tjerë janë shpallur në kërkim.

Në kuadër të operacionit të drejtuar nga SPAK janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale servera dhe dokumente që provojnë mashtrimet që kryheshin nëpërmjet këtij Call Center, mashtrime të cilat kapin shifrat e miliona eurove.

Bëhet me dije se viktima të mashtrimeve janë shtetas të huaj kryesisht spanjollë dhe gjermanë.

Policia e Shtetit dhe SPAK nuk kanë dhënë ende një informacion zyrtar pasi operacioni është në vijim dhe po shtrihet në disa qytete të Shqipërisë.

Po ashtu në Vlorë Policia bregdetare me urdhër të SPAK ka kryer kontrolle në një call-center në lagjen “Pavarësia”, pasi biznesi dyshohet për mashtrim.

Mësohet se deri më tani janë mbi 15 persona të shoqëruar në polici, kryesisht vajza.

Ende nuk dihet detajet e mashtrimit të pretenduar por pritet që të shoqëruarit të merren në pyetje.

Policia Spanjolle vazhdon ende të jetë në call-center ku po kryejnë ekspertizën e kompjuterave që janë gjetur.

Gjithashtu operacioni është duke vijuar edhe te Komuna e Parisit në Tiranë.

Policia është duke bastisur zyrat dhe ka shpallur në kërkim pronarët e Call Center-it. Punonjësit nuk janë gjetur aty pasi dyshohet se ka pasur rrjedhje informacioni.

Burime nga SPAK bëjnë të ditur për Vox News se alarmi për bombë dyshohet se ka ardhur nga punonjës të Call Center-it në Tiranë për të tërhequr vëmendjen dhe për të ndaluar operacionin.

Operacioni do të vijojë ende, kur janë prerë disa urdhër arreste.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video