'Dy engjëj u vranë nga një përbindësh', drejtësia që dështoi në vrasjen e gruas shtatzënë

2 December 2022, 09:31Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

'Dy engjëj u vranë nga një përbindësh',

“Institucionet e drejtësisë kanë dështuar plotësisht” të mbrojnë jetën e gruas shtatzënë, vlerëson avokati i jashtëm i Rrjetit të Grave të Kosovës, Fitim Gashi.

Hamide Magashi, 35 vjeçe, dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj, Sokol Halili, më 30 nëntor, në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë.

Policia publikoi emrin dhe fotografinë e të dyshuarit për vrasjen, i cili ndodhet ende në arrati, dhe kërkoi ndihmën e qytetarëve për “ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në arrestimin” e tij.

Duke reaguar pas vrasjes, ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se ajo është “pasojë e papërgjegjësisë institucionale”.

'Dy engjëj u vranë nga një përbindësh',

Gjykata Themelore në Ferizaj konfirmoi se për gruan, tashmë të ndjerë, ishte lëshuar urdhër për mbrojtje prej datës 13 shtator 2022 deri më 13 mars 2023, pas kërkesës që vetë viktima e kishte parashtruar më 8 shtator.

Më 23 shtator 2022, Gjykata Themelore e Ferizajt, me aktgjykim, shpalli të pandehurin S.H. (Sokol Halili) fajtor për veprën penale: mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve. Ai u dënua me gjobë.

Por, paraprakisht, më 10 gusht, kjo gjykatë ngriti aktakuzën ndaj të pandehurit S.H. për veprën penale: kanosje ndaj bashkëshortes së tij.

I pandehuri nuk e pranoi fajësinë dhe paraqiti kërkesë për të hedhur poshtë aktakuzën dhe për kundërshtim të provave. Më 19 nëntor, gjykata me aktvendim e refuzoi kërkesën e të pandehurit./REL


Video