Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani përbën një kërcënim kolosal jo vetëm për Lindjen e Mesme, por edhe për Shtetet e Bashkuara.
Ai paralajmëroi se raketat iraniane mund të arrijnë territorin amerikan dhe se vendi mund të jetë nën kërcënim të drejtpërdrejtë. Trump theksoi rëndësinë e mbrojtjes së sigurisë amerikane përballë këtij rreziku.
Trump njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë operacionet “në shkallë të gjerë” në Iran, deri në arritjen e objektivave strategjike.
Ai tha se nëse Irani do jetë i pajisur me raketa të rënda dhe armë bërthamore do jetë një kërcënim i vazhdueshëm. Trump theksoi se kishte paralajmëruar Teheranin pas sulmeve të qershorit, për të mos rifilluar programin bërthamor. Ai shtoi se forcat amerikane do të qëndrojnë të gatshme për të neutralizuar çdo kërcënim nga Irani.
Trump deklaroi se forcat amerikane kanë shkatërruar dhe fundosur nëntë anije të marinës iraniane dhe kanë dëmtuar rëndë ushtrinë detare kundërshtare, duke thënë se pjesa tjetër e flotës së Teheranit do të përfundojë po në fund të detit.
Sipas tij, operacioni ushtarak ndaj Iranit po vazhdon dhe ofensiva ka si qëllim të neutralizojë kërcënimin e mundshëm nga programet raketore dhe bërthamore të Teheranit. Tensionet janë rritur dhe Irani po i përgjigjet SHBA-ve me sulme me raketa dhe dronë në rajon.
Trump premtoi të hakmerret për katër ushtarët e vrarë nga Irani dhe theksoi se ushtria amerikane është më e fuqishme se të gjitha në botë.
Ai deklaroi se operacioni po ecën më shpejt se parashikimet dhe se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë “deri sa të jetë e nevojshme”. Trump nënvizoi se eliminimi i liderëve iranianë ishte bërë në vetëm një orë, jashtë çdo parashikimi.