
SHBA dhe Turqia kanë nisur bisedimet në kuadër të Mekanizmit Strategjik, një platformë që përfshin një gamë të gjerë bashkëpunimi mes dy vendeve e rënë dakord gjatë takimit Biden-Erdogan në Romë në tetor të vitit të kaluar.
Bashkëpunimi në kuadër të këtij mekanizmi shtrihet nga mbrojtja, ekonomia, siguria e deri te klima dhe të gjitha çështjet e tjera me interes të përbashkët.
Bisedimet e para u mbyllën me sukses në Ankara mes delegacionit amerikan që drejtohej nga zv.sekretarja e Shtetit, Victoria Nuland dhe delegacionit turk të drejtuar nga zv.ministri i Jashtëm, Sedat Onal.
Sipas marrëveshjes, të martën dhe të mërkurën në Ankara do të mbërrijë zv.Sekretarja e Tregtisë Marisa Lago për të biseduar në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjeve të përbashkëta në fushën e tregtisë në kuadër të mekanizmit strategjik.
Dy vendet mund të gjejnë me lehtësi bashkëpunimin në të gjitha fushat, me përjashtim të mbrojtjes dhe industrisë ushtarake, ku Uashingtoni dhe Ankaraja janë përplasur në lidhje me sistemin mbrojtë S-400, që Turqia ka blerë nga Rusia dhe programin e avionëve të gjeneratës së fundit, F-35, nga i cili SHBA ka përjashtuar Turqinë.
Megjithatë, agresioni rus në Ukrainë ka afruar dy vendet edhe në këtë drejtim dhe SHBA ka përshëndetur qëndrimin e Turqisë dhe përpjekjet e saj për të negociuar në konflikt dhe përfundimin e luftës.