Një numër i madh turistësh janë vrarë në një vend pushimi në Kashmirin e administruar nga India, pasi persona të armatosur hapën zjarr këtë të martë.
Autoritetet indiane, përfshirë kryeministrin Narendra Modi, e quajtën ngjarjen një "sulm terrorist", teksa sipas raporteve fillestare, persona të armatosur qëlluan me plumba kryesisht turistë indianë që vizitonin livadhin Baisaran, rreth 5 kilometra nga qyteti turistik Pahalgam.
Sipas raportimeve në mediat indiane, numri i turistëve të vrarë ka shkuar 26, dhe pjesa më e madhe e tyre janë indianë të besimit Hindu, të cilët janë sulmuar nga ekstremistë islamistë pakistanezë në këtë zonë që është pjesë e kontestimeve territoriale mes dy vendeve.
Kryeministri Omar Abdullah tha se "sulmi është shumë më i madh se çdo gjë që kemi parë të drejtuar ndaj civilëve në vitet e fundit".
"Ky sulm ndaj vizitorëve tanë është një neveri," tha ai në një deklaratë. "Autorët e këtij sulmi janë kafshë, çnjerëzorë dhe të denjë për përbuzje."
Në një postim në platformën e mediave sociale X, guvernatori i rajonit Manoj Sinha dënoi "sulmin terrorist frikacak ndaj turistëve". Ai shtoi: “I siguroj njerëzit se ata që qëndrojnë pas këtij sulmi të neveritshëm nuk do të mbeten pa u ndëshkuar.”
Të paktën dy prej turistëve të mbetur të vrarë dyshohet të jenë shtetas të huaj që ndodheshin në Kashmir.