Kompania që zotëron kompaninë që do të ndërtojë portin turistik të Durrësit me kosto 2.1 miliardë euro është themeluar vetëm një vit më parë dhe nga të dhënat publike në regjistrin e bizneseve të Emirateve të Bashkuara Arabe nuk ka asnjë të dhënë që të tregojë lidhje me grupin e njohur ndërkombëtar, ‘Emaar’.
‘North East Real Estate Holdings Limited’, që zotëron 100 për qind kuotat e ‘Eagle Hills Real Estate Development’, që sipas marrëveshjes së nënshkruar me Qeverinë shqiptare do të ndërtojë portin e jahteve në Durrës rezulton e regjistruar me licencë biznesi (CBLS) 11784172 me numër regjistrimi 000006564.
Adresa e deklaruar nga kompania është ‘2462ResCoëork01, 24th Floor, Al Sila Toëer, Abu Dhabi Global Market Square, Al Maryah Island, Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe. Ajo përfaqësohet me autorizim nga Rashid Mohamed Ali Rashed Alabbar, shtetas i Emirateve te Bashkuara Arabe i linduir në Singapor në vitin 1978.
Këto janë të dhënat e kompanisë, ku nuk gjendet asnjë fije që ta lidhe me grupin ‘Emaar’, siç ka deklaruar Kryeministri Edi Rama, që ka akuzuar opozitën se po shpif për një personalitet botëror në botën e biznesit.
Përveç kësaj, kompania është themeluar vetëm më 22 nëntor të vitit të kaluar dhe licencën e ka aktive deri më 21 nëntor të vitit të ardhshëm. Të dhëna të tjera në regjistrin e bizneseve të Emirateve të bashkuara Arabe për këtë kompani nuk ka.
Qeveria thotë se porti turistik i Durrësit do të ketë ndikim të drejtpërdrejt ekonomik për qytetin bregdetar dhe gjithë Shqipërinë. Sipas deklaratave të Ramës, investimi e kthen këtë port në më të madhin e këtij lloji në Mesdhe.
Por, opozita e cilëson një megaaferë korruptive dhe dorëzio në Gjykatën Kushtetuese një padi për ta kundërshtuar marrëveshjen e nënshkruar, që ende nuk ka kaluar në Kuvend.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.