Ish-Presidenti Ilir Meta është spiuni i cili qëndron i fshehur në dosjen me inicialet I.M. “Illyridium Media Group” thotë se ka siguruar dosjen e plotë të Sigurimit të Shtetit.
Në dosjen që mban datën 12 mars të 1990-s thuhet se Filip Talo, i lindur në vitin 1960 në qytetin e Lushnjes, i padënuar më parë dhe student në degën e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës është rekrutuar si agjent i sigurimit pas denoncimeve të Ilir Metajt dhe Ilir Muratit, studentë në të njëjtën klasë me Filip Talon.
“Objekti Filip Talo është marrë në përpunim paraprak në 23.01.1989 mbi besën e denoncimeve të studentëve Ilir Murati e Ilir Metaj dhe me vërtetësinë e tyre me teknikë operative, më 23.04.1989 është ngritur në përpunim aktiv, ku rezulton se Flilip Talo ka tendencë arratisje jashtë shtetit”, shkruhet në dosje.
Dosja përmban detaje të plota se si pas denoncimit të Ilir Metajt për planin e arratisjes, Filip Talo është vënë nën presionin e Sigurimit të Shtetit, duke pranuar si ‘planin armiqësor, ashtu edhe të kthehet në bashkëpunëtor të Sigurimit’.
“Filip Talo i shpreh Ilir Metajt se...’do të arratisesha, kështu e kishin llogaritur...se ai nuk kishte pse të dinte më shumë, se duhet të mos e diskutonte me njeri. Se ishin pesë shokë, por që Ilir Metaj nuk i njihte direkt, se ishte edhe një tjetër që Metaj nuk e njihte fare”, thuhet në transkriptin e Sigurimit të Shtetit.
Në dosje thuhet se Sigurimi e pajis Ilir Metën me një përgjues që të regjistronte bisedën e radhës me Filip Talon. Biseda e radhës nuk vonoi.
Filip Talo e kishte menduar arratisjen nga Saranda në drejtim të Greqisë. Sipas dokumentit të sigurimit, Ilir Metaj ishte vënë në dijeni nga vetë Talo për këtë dhe e kishte pyetur se si. Gjatë bisedave, Talo i ka folur për një ushtar që do t’i ndihmonte për të kaluar kufirin. Nga dialogu i Ilir Metës me Filip Talon kuptohet se ish-Presidenti i e pyet duke i kërkuar më shumë informacion, në përpjekje për të mësuar identitetin e ushtari. Por Filip Talo ja pret shkurt duke i thënë se nuk i kishte treguar ende asgjë ushtarit për planin në fjalë.
Dosja në fjalë rrëzon të gjitha alibitë e Ilir Metës që thotë se nuk është ai Ilir Metaj i dosjes I.M. Ajo përmban në detaje të gjitha dyshimet e hedhura nga Autoriteti i Dosjeve në lidhje me këtë çështje.
Publikimi i saj është prova më e mirë se ende sot 30 vite pas rënies së komunizmit, ish-Sigurimit jo vetëm që nuk ka fjetur, por ka arritur deri në majat e pushtetit politik, si në rastin e Ilir Metës, apo Ilir Metajt që në tre dekada u bë deputet, Kryeministër, ministër, Kryetar Kuvendi dhe në fund Presidenti i Republikës.