Fatmir Bektashi i "Kontakt" prish lulishten për të ndërtuar rrugën për pallatin (FOTO+VIDEO)

10 October 2022, 20:08Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Fatmir Bektashi i "Kontakt" prish lulishten për të
Fatmir Bektashi dhe betonieret që po shkatërrojnë lulishten

Banorët e një pallati në rrugën ‘Artan Lenja’ në Tiranë kanë kundërshtuar ndërtimin e një rruge, që prishte lulishten e ndërtuar nga bashkia për ta.

Ata kanë deklaruar se rrugët ekzistuese të pallatit ‘Dorado’, ndërtuar nga kompania Kontakt e ndërtuesit Fatmir Bektashi ishin të mjaftueshme.

Me t’u njohur me planet e Bekteshit për ndërtimin e rrugës, banorët i kanë bërë me dije se do ta kallëzonin nëse vazhdonte përpara me këtë plan.

Ndërtuesi u ka premtuar se nuk do ta ndërtojë, ndaj u ka kërkuar që të mos bëjnë asnjë kallëzim.

Por, në kundërshtim me premtimin e dhënë, Fatmir Bektashi ka vazhduar me planin e tij dhe aty ku më parë ishte lulishtja e ndërtuar nga bashkia sot ka zhavorr dhe inerte të tjera për ndërtimin e rrugës.

Arsyetimi i dhënë nga ndërtuesi është ndërtimi i një rruge emergjence. Por, arsyeja e vërtetë e ndërtimit të rrugës është shfrytëzimi i saj për një tjetër pallat që Bektashi po ndërton në fund të zonës.

Për ta kundërshtuar, banorët kanë firmosur një peticion ku kërkojnë që të mos preket lulishtja si dhe kanë kallëzuar ndërtuesin. 

Pallati që po ndërtohet normalisht duhet të ketë rrugët e veta, që planifikohen para se të nis ndërtimi. Rasti është një shembull se si ndërtuesit shpërfillin interesat e qytetarëve, madje duke shkatërruar edhe pronën publike në mes të ditës për ta vënë atë në shërbim të interesave të tyre private.

Kjo nuk është hera e parë që Fatmir Bektashi përplaset me qytetarët. Në 2020 ishin banorët e “Mangalem 21” në zonën e ‘Ali Demit’ ata që denoncuan ndërtuesit për mosrespektim të kontratës, planimetrisë së ndërtimit, refuzim për të shtruar rrugët dhe mosrespektim të distancave mes pallateve.

Para se të hidhej zhavorr e inerte të tjera betoni, pjesa e tokës është përdorur nga banorët jo vetëm si lulishte, por edhe si kopështar kolektiv i tyre.

I vetëdijshëm se jo vetëm nuk po mban premtimin e dhënë për të mos e ndërtuar rrugën, por është edhe në shkelje të ligjeve, Fatmir Bektashi kryen punimet gjatë natës, ose në orët e para të mëngjesit, për të mos u pikasur nga banorët.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video