Oligarkët e ndërtimit po shfrytëzojnë krizën për të fituar më shumë

29 September 2022, 21:29Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Oligarkët e ndërtimit po shfrytëzojnë krizën për

Raporti i Bankës së Shqipërisë për stabilitetin financiar në gjysmën e parë të këtij viti tregon se çmimet e banesave janë rritur me 40 për qind.

Ndërtuesit e kanë justifikuar rritjen gjatë kësaj periudhe me rritjen e çmimeve të lëndëve të para, si hekur, çimento, energjia dhe transporti.

Megjithatë, rritja e këtyre çmimeve, sipas raportit të Bankës së Shqipërisë nuk e justifikon plotësisht shtrenjtimin e banesave me 40 për qind në krahasim me vitin e kaluar.

Banesat janë shtrenjtuar me 40 për qind në Tiranë dhe me 39 për qind në të gjithë vendin. Por, në të njëjtin raport kostoja e ndërtimit sipas të dhënave të INSTAT është rritur me 11 për qind më shumë se një vit më parë.

Ka një diferencë prej 30 për qindësh mes rritjes së kostove për ndërtuesit dhe rritjes së çmimeve për qytetarët, që nuk justifikohet as nga kërkesa. Nga të dhënat e raportuara nga agjencitë imobilare ka një kërkesë të rritur për blerje apartamentesh në krahasim me vitin e kaluar, por ajo nuk është në nivele të larta nëse krahasohet 2021 me 2020.

Pra, tregu i shit-blerjes nuk ka diferencë të madhe në vitin e fundit dhe lë pa alibi diferencën mes kostos së shitjes dhe asaj të ndërtimit.

Diferenca mund të shpjegohet vetëm me faktin që ndërtuesit po shfrytëzojnë krizën e çmimeve për të mbushur xhepat e tyre. Sa për blerësit, raporti i Bankës së Shqipërisë thotë se shumica e tyre i kanë financuar me kredit.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video